Sveçla: Nuk do të ndalemi, çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve do të arrestohet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë dhe se nuk do të lejojë askënd, me asnjë çmim të sulmojë qytetarët, të frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin kushtetues

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në lidhje me arrestimin e të dyshuarve për sulmet ndaj gazetarëve në veri kohëve të fundit, ka thënë se këta kriminelë të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë.

“Tre ditët e fundit, tre të arrestuar për sulmet brutale dhe kriminale ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu i vendit. I arrestuari i tretë, i radhës, është Urosh Vukasinoviq. Këta kriminelë, të cilët po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, tashmë do të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës nuk do të ndalet dhe se “çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve do të arrestohet”.

“Republika e Kosovës është vend shembull i funksionimit të demokracisë dhe nuk do të lejojmë askënd, me asnjë çmim, t’i sulmojë qytetarët, ta frikësojë raportimin e gazetarëve dhe cenojë rendin tonë kushtetues”, ka vijuar Sveçla.

Ndryshe, të hënën, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është arrestuar një person, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gazetarëve javën e kaluar në komunën e Leposaviqit.

I dyshuari, sipas Policisë, është serb me inicialet U.V, “me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit”.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, javën e kaluar në Leposaviq ishin sulmuar rëndë gazetarët nga bandat kriminale. Disa kanë pësuar edhe lëndime, në mesin e tyre edhe gazetarja e RTV Dukagjinit, e cila është goditur me gurë në kokë, njërit ia kanë thyer krahun kurse një tjetër e kanë rrahur rëndë disa persona të maskuar.

Ndryshe, ky është arrestimi i tretë brenda pak më shumë se një jave për sulmet që kanë ndodhur ndaj gazetarëve në veri.

Dy të arrestuarit tjerë ishin, Nemanja Vllaskoviq dhe Dalibor Spasiq./Dukagjini