Të paktën dhjetë persona vdiqën në një sulm në një shkollë në Grac në gjimnazin Dreierschützengasse. Midis të vdekurve ishin nxënës dhe të paktën një i rritur. Autori i dyshuar i sulmit është gjithashtu midis tyre. Kryetarja e qytetit, Elke Kahr e konfirmoi këtë për APA-n. Disa persona të tjerë janë plagosur.
Sipas informacioneve fillestare të policisë, autori i krimit ka të ngjarë të ketë vepruar i vetëm. Rreth mesditës, situata u konsiderua “e sigurt” për publikun. Automjetet e emergjencës u tërhoqën ngadalë.
Disa nga fëmijët dhe të rinjtë u çuan në sallën Helmut List aty pranë, ku për ta u kujdesën ekipi i ndërhyrjes në kriza dhe Kryqi i Kuq. Të afërmit e shqetësuar për fëmijët e tyre u dërguan në sallën ASKÖ aty pranë, e cila tani është pika e kontaktit për prindërit.
Ndërkohë, policia ka filluar një hetim dhe së pari duhet të shqyrtojë motivin e autorit të dyshuar, raporton APA.
Të paktën 8 të vrarë nga të shtënat në një shkollë në Grac të Austrisë
Të paktën tetë njerëz janë vrarë në një sulm me të shtëna me armë në një shkollë në qytetin Grac të Austrisë, tha kryetarja e qytetit, Elke Kahr. Khar ka theksuar se sulmuesi i dyshuar është vrarë.
Kahr, ka theksuar se shtatë prej të vrarëve janë nxënës, kurse shumë njerëz u dërguan në spitale me lëndime. Ajo e përshkroi ngjarjen si një “tragjedi të tmerrshme”, raporton Agjencia austriake e Shtypit.
Kurse në një postim në X, policia ka theksuar se nga shkolla janë evakuuar të gjithë dhe janë dërguar në një vend të sigurt.
Sipas policisë, situata është ‘e sigurt’ dhe nuk besohet të ketë më ndonjë rrezik.
Policia ka thënë se me të shtëna u qëllua në shkollën e mesme rreth orës 10 të mëngjesit, kurse njësia speciale ka reaguar shpejt duke dalë në vendngjarje.
Policia ka theksuar se ka edhe të plagosur, por përsëri pa specifikuar një numër.
Grazi, qyteti i dytë më i madh i Austrisë, ndodhet në juglindje të vendit dhe ka rreth 300 mijë banorë.