Një grup nacionalistësh serbë ka marrë lejen e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për të bllokuar pikat kufitare të Serbisë me Kosovën, duke filluar prej sot në ora 18:00.
“The Geopost” ka arritur të marrë vesh se organizatori kryesor i kësaj nisme, Radomir Rojeviq, është i afërt me pushtetin në Serbi – nënkryetarin e Qeverisë, Aleksandar Vulinin dhe se subjekti politik të të cilit i takon është në koalicion me partinë e Aleksandar Vuçiqit.
Për t’i përkrahur, në terren do ta kenë asistencën edhe të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”, e cila udhëhiqet nga Milan Radoiçiq.
Përveç pikave kufitare Kosovë-Serbi, siç janë ajo Merdarë, Jarinjë dhe Bërnjak, në këto aktivitete do të përfshihen edhe forca të errëta serbe proruse nga Mali i Zi, të cilët do të pozicionohen në pikën e njohur si Kulla, mirëpo edhe në pikën kufitare të Malit të Zi me Shqipërinë, e njohur si Hani i Hotit.
Sipas asaj që kanë thënë organizatorët, bllokadat në pikat administrative Merdar, Jarinjë dhe Bërnjak nuk do të hiqen gjersa të tërhiqen organet e rendit të Republikës së Kosovës nga komunat veriore.
Sipas një dokumenti të Qendrës Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, Radomir Rojevic ka qenë përfaqësues i së majtës jugosllave në Kosovë, e njohur si JUL – parti kjo e themeluar nga bashkëshortja e Slobodan Milosevic-it, Mira Markovic, e cila ka vdekur në Moskë më 2019. JUL më pas u drejtuar nga nënkryetari i tashëm i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin.
Rojevic dhe Vulin ishin miq të afërt edhe në kohën Vulin ishte drejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë e Metohi” në Qeverinë e Serbisë. Gjatë kësaj kohe, Rojevic ka qenë i punësuar në këtë “Zyrë”.
Ambiciet politike të Rojeviqit nuk u zbehën pas karrierës së tij me të JUL-in. Ai sot është kryetar i këshillit drejtues të një organizate të njohur si “Lëvizja e Qarkut Kosovë-Mitrovicë”. Kjo lëvizje, së cilës i mungon transparenca në operacionet e saj, është një forcë shtytëse pas bllokadave të planifikuara kufitare.
Në anën tjetër, vet Rojevic mban lidhje konkrete me Rusinë. Në nëntor 2023, ai u shfaq si panelist në një prezantim të librit në Moskë në librarinë e lidhur me shtetin “M.I. Rudomino”. Autorja e librit, Danica Marinkoviq, është një gjyqtare kontroverse e njohur për punën e saj gjatë luftës së Kosovës, një kohë kur Rusia mbështeti me vendosmëri politikat agresive të Serbisë në Ballkan. Gjatë diskutimeve në Moskë, Rojevic e kishte quajtur udhëheqësin e Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, “profiter lufte”.
Plani i bllokimit të kufirit nuk duket një protestë e izoluar. Ajo është pjesë e një strategjie më të gjerë politike me implikime rajonale me aksione të mirëplanifikuara. Bllokada e planifikuar synon pikat kyçe kufitare ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Rojeviq ishte përfshirë më parë me “Bolja Srbija” (Serbia më e mirë), një shoqatë që ndan emrin e saj me një parti politike konservatore. Në prill të vitit 2023, “Bolja Srbija” u bashkua zyrtarisht me Partinë Progresive Serbe (SNS) në pushtet të Aleksandar Vucic-it, duke konsoliduar më tej ndikimin e Rojevic-it brenda niveleve më të larta të politikës serbe. Lidhjet e tij me Vucic-in, të kombinuara me lidhjen e tij me Moskën, paraqesin një tablo të një njeriu që vepron në kryqëzimin e nacionalizmit serb dhe interesave gjeopolitike ruse.
Nedeljko Grandov nga Nikshiqi do të jetë organizatori i bllokimit të pikës kufitare në Kullë, me Malin e Zi. Ai është i njohur për lidhjet e ngushta me Federatën e Rusisë – Qendrën Ruse “Majak”. Në përkrahje të tij do të jenë edhe Nenad Korac, Bogdan Femic e Mirko Gojacanin.
Ka një përpjekje që, përveç pikave kufitare me Serbinë dhe Kosovën, edhe pika kuiftare e Republikës së Shqipërisë me Malin e Zi, e njohur si “Hani i Hotit”, do të bllokohet me synimet e njëjta. Organizator për bllokimin e saj është Milinko Sekulovic – Misho nga fshati Seljani, komuna Pluzhine e Malit ët Zi. Ai jeton në në Nikshiq, ndërsa ka paralajmëruar se, një grup qytetarësh të udhëhequr nga veteranë ushtarakë të luftërave të viteve 1991-2001, dhe pjesëtarë të Batalionit të 7-të të Policisë Ushtarake do të organizojnë bllokimin e pikës kufitare.
Gjithashtu, Sekulovic i takon së djathtës ekstreme serbe, me lidhje të afërta me Rusinë.
Paralajmërim i përshkallëzimit
Bllokada e planifikuar, e kryesuar nga Radomir Rojevic, është një përpjekje e qartë për të nxitur tensionet midis Serbisë dhe Kosovës. Me lidhjet e tij të thella me elitën politike të Serbisë, lidhjet e tij me Moskën dhe rolin e tij në lëvizjet nacionaliste, Rojevic përfaqëson një figurë të rrezikshme që punon në prapaskenë për të destabilizuar rajonin.
Ditët në vijim do të jenë një test kritik për rajonin. A do të jetë kjo një tjetër pikë zjarri në një histori të gjatë konflikti, apo këto përpjekje destabilizuese do të pengohen përpara se të dalin jashtë kontrollit? /The Geopost/Telegrafi/