Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, pasi ka shikuar një video të përgatitur nga gazetarja e RTV Dukagjinit se si për një orë e 15 minuta ka mbërritur nga lagjja “Mati 1”, deri tek Parku i Gërmisë, ka thënë se kjo është problemi kyç i kryeqytetit.
Por, sipas tij kjo është rezultat i zhvillimit të hovshëm të Prishtinës, në aspektin e sektorit privat mirëpo i mungesës të investimeve kapitale në sektorin publik.
Ai ka thënë se problemi i trafikut lidhet drejtpërdrejt me mungesën e infrastrukturës, pasi sipas tij rrugët janë të mangëta në raport me zhvillimin e qytetit.
“Kemi mungesë të infrastrukturës, pra nuk ka rrugë, rrugët janë të mangëta në relacion me zhvillimin e qytetit, gjithmonë duhesh me ardh nga qendra për me shku në pjesët tjera. Pra nuk kem rrugë ndërlidhëse në zonat periferike”, ka deklaruar ai në Debat Plus.
Po ashtu, Rama ka deklaruar se janë duke punuar për krijimin e rrugëve alternative.
“Edhe për këtë siç e dini kemi një zhvillim të hovshëm tash rrugëve të reja në të gjitha pjesët e kryeqytetit”, ka thënë tutje ai.