Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar të martën se të dyja vendet, si Izraeli ashtu dhe Irani, e kanë shkelur marrëveshjen e dakorduar disa orë më parë të armëpushimit.
Ai ka shprehur pakënaqësi, veçanërisht ndaj Izraelit.
Duke folur për gazetarët para se të nisej për në samitin e NATO-s në Hagë të Holandës, Trumpi ka thënë se Izraeli sulmoi menjëherë pasi pranoi marrëveshjen. Sa i përket Iranit, Trumpi ka thënë se kapacitetet bërthamore të shtetit persik janë shkatërruar tërësisht dhe se ata nuk do të rindërtojnë më kurrë programin bërthamor.
E vetëm disa minuta pasi deklaroi se Izraeli dhe Irani e kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit, presidenti amerikan përmes një shkrimi në rrjetit social “Truth Social”, e ka paralajmëruar Izraelin që të mos lëshojë më bomba në drejtim të Iranit.
“Izrael. Mos i gjuaj ato bomba. Nëse e bën atëherë do të jetë shkelje e madhe. Kthej pilotët në shtëpi, tani”, ka shkruar Trump.