U vazhdohet paraburgimi 3 të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë

Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka vazhduar masën e paraburgimit tre të dyshuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Në një përgjigje për RTV Dukagjini, thuhet se të tre të dyshuarve u është vazhduar paraburgimi nga dy muaj secilit.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që të pandehurve V.T, B.S dhe D.M, iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore.

Personat me inicialet V.T, B.S dhe D.M dyshohet se kanë marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të këtij viti.

Si pasojë e këtij sulmi ishte vrarë në detyrë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.