Në Unazën e Madhe të Tiranës vijon puna me ritme të larta, me synim finalizimin e të gjithë kësaj vepre brenda fundit të këtij viti.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndau në rrjete sociale momente nga puna që po vijon në disa drejtime kryesore të këtij projekti.
Balluku tha se, “Unaza e Madhe e Tiranës do të jetë gati në fund të këtij viti, duke përmbyllur kështu një ndër projektet më të rëndësishëm të infrastrukturës në vend”.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment rrugor të gjerë dhe me standarde, mbi 27 kilometra të gjatë.
Ndërtimi i Unazës lehtëson trafikun dhe shkurton distancat, sidomos për mjetet që kalojnë tranzit në Tiranë, apo lëvizin nga periferia jashtë Tiranës. Kjo unazë do të bëjë të mundur një shpërndarje të trafikut.
Në të gjitha zonat ku kalon, ky segment rrugor gjallëron jetën e komuniteteve dhe rrit vlerën e pronave dhe të investimeve të banorëve të komuniteteve. /Telegrafi/