Finlanda po synon që të bëjë ndryshime në sistemin arsimor. Një prej vendimeve pritet të jetë ndalimi i telefonave mobilë në shkolla, ka raportuar të martën “The Telegraph”.
Sipas Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) nxënësit 15-vjeçarë të Finlandës, ishin renditur të parët në botë për kah të nxënit në matematikë, shkencë dhe lexim. Performanca kishte kulmuar në 2006-n, por që atëherë, ishte regjistruar një rënie.
Për t’i adresuar këto rezultati, qeveria e krahut të djathtë tha se nëpërmjet një investimi prej 200 milionë eurosh në arsimin bazë, do të sigurohet që nxënësit të fitojnë aftësi në lexim, shkrim e në matematikë, por pos kësaj, edhe ndalimi i telefonave në shkolla do të jetë pjesë e sistemit.
“Qeveria do t’i përforcojë kompetencat e mësuesve dhe të drejtorëve për të ndërhyrë në aktivitetet që pengojnë mësimin gjatë orëve të mësimit”, tha qeveria finlandeze.
“Ne do të bëjmë ndryshimet e nevojshme legjislative për të mundësuar kufizime më efikase në raste të tilla si përdorimi i pajisjeve celulare gjatë ditës së shkollës, në mënyrë që nxënësit dhe studentët të përqendrohen më mirë në mësimdhënie”, shtoi ai./Koha.net