Në një dyqan të Hermesit në Milano janë vjedhur çanta me vlerë rreth 90 mijë euro. Denoncimi është bërë nga drejtuesit e dyqanit via Montenapoleone, të cilët u shpjeguan karabinierëve se zbuluan mungesën e 4 çantave, të cilat ishin zëvendësuar me të tjera me vlerë më të vogël. Mes çantave të vjedhura është edhe një Birkin prej krokodili me vlerë 50 mijë euro.
Hetuesit po punojnë për pamjet e kamerave të sigurisë për të parë nëse është e mundur të gjenden elementë të dobishëm për hetimin.
Për të pasur Birkin-in e famshëm, shifra është marramendëse, disa modele shiten me çmimin e një apartamenti, por duhet edhe shumë durim, pasi lista e pritjes është e gjatë. Një strategji marketingu që e bën këtë objekt edhe më ekskluziv, dhe për rrjedhojë të çmuar.
Edhe historia e lindjes së saj ka ndihmuar që kjo çantë të shndërrohet në një simbol. Maison Hermes thotë se “ky objekt ndër më të dëshiruarit në dekadat e fundit”, ka lindur në ajër gjatë një fluturimi Paris-Londër. Në bord, aktorja angleze Jane Birkin është ulur pranë Jean-Louis Dumas, president i Hermes (1978-2006). Të dy fillojnë të bisedojnë dhe aktorja ankohet se nuk mund të gjejë një çantë që i përshtatet nevojave të saj.
“Një krijues i lindur i talentuar me një intuitë të pagabueshme, Dumas dizajnon menjëherë një çantë të gjerë me formë drejtkëndëshe, të butë dhe të gjerë, me një profil të lëmuar dhe qepje”, thotë maison Hermes. Ashtu si çanta Hermes Kelly u frymëzua nga Grace Kelly, Birkin e merr emrin nga Jane e cila me Serge Gainsbourg ishte padyshim një nga çiftet më të famshëm dhe më transgresivë të jet set-it të viteve gjashtëdhjetë, raporton A2CNN.
Aksesori i çmuar me dorezë të dyfishtë, ndryshon në përmasa, janë tre, Birkin 25, Birkin 30 dhe Birkin 35, në ngjyrë dhe lëkurë. Ndërsa çmimi fillon nga 10 mijë euro e lart, deri në shifra të tepruara siç është ajo e vjedhur në Milano që siç është deklaruar, kap vlerën e 50 mijë eurove. Dhe sigurisht që nuk është më e shtrenjta, sepse Birkin Faubourg ekskluzive u shit për 160,000 euro.