Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës ia kishte ndaluar kompanisë Visametric që t’ua merrte qytetarëve nga 30 euro për shërbimin postar të dërgimit të pasaportës. Edhe përkundër këtij vendimi, ka pasur raportime se Visametric po vazhdonte të merrte shumën 30 euro.
Megjithatë sot, një vendim i shkallës së dytë i Gjykatës Komerciale ka refuzuar ankesën e Visametric dhe ka rikonfirmuar edhe një herë vendimin e shkallës së parë. Kësisoj përfaqësuesit ligjor të kompanisë Visametric kanë njoftur se kanë vendosur ta respektojnë vendimin e Gjykatës Komerciale.
Përfaqësuesit e autorizuar të kompanisë Visametric SH.P.K kanë bërë me dije se sot kanë pranuar Aktvendimin e Dhoms së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale lidhur me vendimin e shkallës së parë për caktimin e masës së sigurisë ndaj kompanisë Visametric.
Shoqëria e Avokatëve RPHS Law kanë njoftuar se ankesa e Visa Metric ndaj aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komercaile është refuzuar dhe se sot kanë pranuar Aktvendimin e Gjykatës të cilin edhe do ta respektojnë.
“Duke qenë se Ankesa e Visametric, ndaj Aktvendimit të Dhomës së Shkallës së Parë është refuzuar dhe Aktvendimin e kemi pranur sot, Visametric do të respektojë Aktvendimin e Gjykatës”, thuhet në njoftim./Express