Vjosa Osmani: Ka tendencë nga disa që masat e BE-së të keqpërdoren për ta kushtëzuar Kosovën për Asociacionin

Osmani ka thënë se këto masa që BE-ja ia pati vënë Kosovës po përdoren si kushtëzim për krijimin e Asociacionit dhe se kushtëzimi i tillë do të ketë vetëm efekt negativ.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës është dashur të heqen moti pasi Kosova ka plotësuar kushtet sa i përket deeskalimit.

Osmani në konferencën e përbashkët me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev ka thënë se këto masa që BE-ja ia pati vënë Kosovës po përdoren si kushtëzim për krijimin e Asociacionit dhe se kushtëzimi i tillë do të ketë vetëm efekt negativ.

“Masat duhet të hiqen moti, në fakt s’do duhej të vendoseshin kurrë sepse përkundër mospajtimeve mes Qeverisë dhe partnerëve të BE-së sa i përket 26 majit, Kosova ka vepruar në territorin e saj. Ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për ta kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga arsyeja që janë vendosur në fillim. Një qasje të tillë e kam kundërshtuar edhe në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 13 dhjetor sepse kjo logjika sikur kur përdoreshin liberalizimi i vizave për të kushtëzuar Kosovën për çështje dialogu do të ketë vetëm efekt negativ”, ka thënë ajo.