Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në shkollën “Halit Çoka” në Kamëz, për të vijuar takimet këshilluese me prindërit dhe mësuesit për kufizimin e rrjeteve si TikTok, deklaroi se vrasja e 14-vjeçarit u përdor “në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit, ndaj prindërve, duke sajuar histori, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër”.
“Dy vrasje që kanë ndodhur, ajo e Pogradecit dhe kjo e 14-vjeçarit që ishte një tragjedi shumë e madhe, janë përdorur në mënyrën më abuzive, më skandaloze dhe më të pabesë ndaj opinionit publik, sidomos kjo e fundit, ndaj prindërve, duke sajuar historira, duke vënë në pikëpyetje korrektesën e Policisë së Shtetit në raportim, duke shpikur një autor tjetër. Fatmirësisht, kjo vrasje është e regjistruar në video. Jo vetëm që është hetuar me detaje nga prokuroria, por është regjistruar në video. Është nga A-ja te Z-ja si ka ndodhur, nuk ka një autor tjetër, nuk ka një thikë tjetër dhe nuk ka ndodhur siç mund të thotë imagjinata, kur vetvetiu, njeriu vendoset në krahun e viktimës. Një përleshje, nga ku, për fatin më të keq është shkaktuar një vdekje e një fëmije, ky është fakti. Dhe në këto bashkëbisedime kam dëgjuar me shumë vëmendje shqetësimin e prindërve që përtej TikTok-ut, është edhe gjithë çmenduria mediatike e Shqipërisë që nxitet nga politika, nxitet nga nevoja për të pasur sa më shumë audiencë dhe për ta përdorur me netë të tëra, me ditë të tëra shqetësimin që krijohet vetvetiu tek prindërit për t’i mbajtur ata mbas ekranit, duke iu treguar historira”, tha Edi Rama, shkruan A2 CNN.
Në fund, Rama njoftoi projektin e kamerave në shkolla: “Por do ta mbyll duke ju thënë që ne kemi rreth një vit që po punojmë me një projekt që besoj do të na japë një dorë të madhe të gjithëve bashkë, Ministrisë së Arsimit, drejtorive të shkollave, mësuesve dhe prindërve, një dorë të madhe që është një projekt i sigurisë së lartë të shkollave përmes sistemit të kamerave inteligjente, të cilat, falë një bashkëpunimi me Emiratet e Bashkuara ku ky sistem është instaluar me sukses të jashtëzakonshëm dhe ku ka një rënie drastike të dhunës, të bullizmit, të mungesave, të sjelljeve, sepse gjithçka është transparente, ne do kemi mundësinë që të kemi në dorë një pasqyrë të të gjithë fëmijëve dhe mësuesve. Natyrisht që sistemi do të menaxhohet me protokolle të qarta, por ama çdo prind që do të dojë të shikojë fëmijën e vetë si ka qëndruar në klasë ose nëse fëmija ka bërë ndonjë gjë që duhet ballafaquar me atë fakt, do të ketë mundësinë ta bëjë bashkë me fëmijën”.