Ka nisur së zbatuari plani i ri i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjdhme serbe, që i lëshon Serbia. Targat me akronime si: ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’, nuk të largohen nga përdorimi nga data 21 prill i vitit të ardhshëm.
Më 1 nëntori Policia e Kosovës ka nisur të lëshojë letra qortuese për secilin shofer makine me targa të paligjshme serbe, që hyn apo del nga territori i Kosovës drejt Serbisë.
Llogaritet se janë rreth 10.000 automjete me targa që Kosova i konsideron të paligjshme dhe ato qarkullojnë kryesisht në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Plani i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tyre me targa RKS, do të zhvillohet në tri faza.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Serbia, e cila ushtron kontroll mbi serbët në veri, i kundërshton ato dhe insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të martën se ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie, për shkak të situatës në Kosovë.
Ai tha se urdhër për këtë ka dhënë presidenti i këtij vendi, Aleksandër Vuçiq.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar në orët e hershme të së martës se Policia e Kosovës do të angazhohet nga 1 nëntori për lëshimin e letrave qortuese për pronarët e makinave me targa të paligjshme serbe.
Ai u ka bërë thirrje atyre që të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve, për t’i regjistruar automjetet e tyre me targa RKS.
“Ftoj të gjithë qytetarët tanë, të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’ apo ’ĐA’, nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që t’i regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu ta përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Sipas rregulloreve në fuqi, secila makinë që hyn në Kosovë i nënshtrohet akcizës, tatimit në import dhe tatimit mbi vlerën e shtuar.
Shembull, nëse një qytetar i Kosovës blen një makinë në vlerë prej 7.000 eurosh, të vitit 2015, deri në 2.000 kubikë, çmimi që i duhet të paguajë në doganë, rritet për 2.558 euro.
Ky çmim shtesë nuk do të vlejë për ata qytetarë që do t’i riregjistrojnë automjetet me targa RKS.