Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se nga data 9 deri më 12 qershor do të organizojë takime dhe bisedime me serbët në Kosovë, gjatë kohës kur tensionet në veri të Kosovës po vazhdojnë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nga 9 deri më 12 qershor do të zhvillojë bisedime me serbët në Kosovë, teksa tensionet në veri të Kosovës po vazhdojnë.
Siç ka shkruar REL-i, gjatë një adresimi në Beograd, Vuçiq ka falënderuar serbët në Kosovë që, sipas tij, në mënyrë paqësore, po luftojnë për të drejtat e tyre.
Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.
Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.
Emisari amerikan, Gabriel Escobar, dhe ai evropian, Mirosllav Lajçak, nga e hëna kanë zhvilluarvizitat në Kosovë dhe Serbi, në tentim për të gjetur një zgjidhje për shtensionimin e situatës në veri.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që Kosova të shtensionojë menjëherë situatën në veri, duke ia paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa: qetësimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të reja në këtë zonë si dhe kthimi në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
I dërguari i Washingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, më herët gjatë 7 qershorit, ka thënë se në takimin me presidentin serb, ky i fundit e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.
“Sfida më e madhe për Serbinë tani është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet [e Kosovës]”, kishte deklaruar Escobar./Dukagjini