Vuçiq për takimin e të martës në Bruksel: Donin të na mashtronin që ta njihnim Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se të martën në dialogun në Bruksel ishte tentuar “të mashtrohet Serbia që ta njohë Kosovën de facto”.

Por, ai thotë se e ka refuzuar me vendosmëri këtë, raporton “B92”.

“Siç kam thënë pafundësisht, gjithçka ishte një truk e qëllim për ta shtyrë Serbinë që ta njohë Kosovën de facto e de jure, prandaj dje u tentua të krijohet një lloj i ri i planit zbatues. Në atë plan, pika 1 do të ishte prezantimi i planit, e pika 2 që ne t’i lejojmë ata të hyjnë në institucione ndërkombëtare, ndërsa pika 3 përmbushja e detyrimeve të tyre. Sigurisht se kam refuzuar diçka të tillë pasi kjo nuk shkruan askund, dhe as nuk kemi folur ndonjëherë për këtë. Kur e panë që isha i vendosur dhe nuk mund të kalonin, atëherë racionalisht filluan të flasin për krizën në veri të Kosovës e M.”, tha Vuçiq në konferencë për media.

Vuçiq ka thënë se “një hije e madhe po duket”. Raporton Koha.net

“Kurti vërtet planifikon të sundojë në veri pavarësisht se 13 serbë votuan, të gjejë disa serbë me të cilët mund të qeverisë në veri. Kurti refuzoi të bëjë një zgjidhje tranzitore në të cilën ata nuk do të merrnin zyrat, pasi do të ishte turp i madh. Ai e refuzoi edhe sepse e shohin si rastin më të mirë për të dëbuar serbët në Kosovë e M.”, tha Vuçiq.

Ai ka treguar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, refuzoi draftstatutin e propozuar nga Ekipi menaxhues duke thënë se “pikat janë kundër Kushtetutës së Kosovës”.

“Serbia është gjithmonë e gatshme për bisedime e marrëveshje, por të jemi aq budallenj sa që kanë menduar ata nuk është e mundur. Ne do të vazhdojmë të marrim pjesë në bisedime, por unë jam shumë i shqetësuar për këtë çështje”, tha Vuçiq.