Zëvendëskryeministri i qeverisë serbe, Aleksandar Vulin ndodhet në Kazan, ku po zhvillohet samiti i BRICS i organizuar nga Vladimir Putin.
Dhe me këtë rast, siç raportojnë mediat e huaja, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe homologu i tij rus janë miq.
“Serbia shpreh shpresën se do të ketë mundësinë të bëhet anëtare e BRICS”, ka thënë Vulin, sipas të cilit, bëhet fjalë për “një organizatë që ofron liri më të madhe dhe nuk kërkon ndryshimin e sistemit politik ose anëtarësimin në regjimet e sanksioneve”.
Vulin gjithashtu ka thënë se presidenti i Serbisë është përkrahës i madh i miqësisë me Rusinë dhe se e respekton historinë dhe kulturën e saj.
“Presidenti im me të vërtetë e admiron historinë e Rusisë, kulturën e saj dhe ai është një mbështetës i palëkundur i miqësisë midis Rusisë dhe Serbisë. Dhe, nëse mund të them kështu, Vuçiq dhe Putin janë miq”, citohet të ketë thënë Vulin.
Ai ka shtuar se Vuçiq planifikon të marrë pjesë në festimin e 80 vjetorit të fitores mbi nazizmin në Moskë dhe se pret një takim mes presidentit Vuçiq dhe presidentit Putin në Moskë. /Telegrafi/