Zbulohet arsyeja pse Alexander-Arnold nuk e mori fanellën me numër 66 te Real Madridi

Trent Alexander-Arnold u prezantua zyrtarisht sot (e enjte) si lojtar i ri i Real Madridit, por një detaj i rëndësishëm u vu re gjatë prezantimit të tij.

Përfaqësuesi anglez iu drejtua mediave të mbledhura në prezantimin zyrtar në një spanjishte të rrjedhshme, ku falënderoi presidentin e Realit, Florentino Perez, teksa zbuloi se mezi pret t’ia fillojë aventurës së re.

 

 

“Nuk vjen te Reali çdo ditë, kjo është një ëndërr e bërë realitet. Mezi pres të luaj. Hala Madrid!”, tha nder tjerash anglezi.

Ajo që është veçanërisht interesante është se fanella e tij do të ketë të shkruar emrin Trent dhe ai do të mbajë numrin 12.

Shumë veta kanë pyetur veten pse ai nuk do ta veshë numrin e tij të preferuar 66 që e mbante te Liverpooli, dhe përgjigjja e kësaj pyetjeje është shumë e thjeshtë – për shkak të rregullave të La Ligës.

Konkretisht, çdo klub mund të regjistrojë një maksimum prej 25 futbollistësh seniorë dhe ata mund të kenë vetëm numra në rangun nga 1 deri në 25, me faktin që tre portierë duhet të kenë numrat 1, 13 dhe 25.

 

Lojtarët nga njësia e të rinjve dhe lojtarët e ekipit rezervë marrin numra nga 26 e lart.

Duke pasur parasysh që numri 2 mbahet nga Dani Carvajal, Arnold mund të zgjidhte midis numrave aktualisht të disponueshëm 10, 12, 17 dhe 18, dhe ai zgjodhi numrin 12.