Zyrtare: Ndeshja Serbi–Shqipëri do të luhet në Beograd

Federata e Futbollit të Serbisë ka konfirmuar se ndeshja e kthimit mes Serbisë dhe Shqipërisë do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, duke hedhur poshtë zërat për zhvendosjen e saj në Leskoc.

“Ndeshja Serbi-Angli do të zhvillohet zyrtarisht në stadiumin Rajko Mitiq në Beograd dhe jo në Leskoc. Ne gjithashtu do ta presim Shqipërinë në stadiumin Rajko Mitiq,” thuhet në njoftimin zyrtar të FFS-së.

Më herët ishte spekuluar se përballja Serbi–Shqipëri mund të zhvendosej në Leskoc, për të minimizuar rrezikun e incidenteve, për shkak të tensioneve historike dhe ndjeshmërisë së lartë që shoqëron këto ndeshje.

Ndeshja e parë mes dy kombëtareve, e zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, përfundoi me rezultat 0–0, në një përballje të tensionuar por pa gola.