NATO ka dalë me një njoftim për arritjen e 500 ushtarëve turq në Kosovë, pas dhunës së paprovokuar dhe të papranueshme në veri të Kosovës që la të plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Në këtë njoftim të Aelancës Veri-Atlantike tregohet se ushtarët turq të kombesorisë do të përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s në Kosovë.
Ky batalion fillimisht do të vendoset në kampin “Sulltan Murat” dhe do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
“Një batalion shtesë i forcave rezervë të NATO-s është vënë gjithashtu në gatishmëri më të lartë për t’u vendosur nëse është e nevojshme”, njofton NATO.
Ndërkohë është dhënë edhe një pjesë e bisedës në mes të Sekretarit të NATO-s, Jens Stolteberg me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ku kanë folur për dërgimin e trupave turke në Kosovë.
Stoltenberg e ka thënë se Turqia është një aleate e rëndësishme që jep një kontribut kyç në NATO dhe e ka falendëruar Erdoganin për përforcimet në Kosovë, pas trazirave të fundit në veri.
“Turqia është një aleate e rëndësishme dhe shumë e vlerësuar, duke dhënë kontribute kyçe në NATO. Këtu përfshihen trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, gjë që është edhe më e rëndësishme tani, kur tensionet janë të larta. Falënderoj Turqinë për dërgimin e përforcimeve në veri të Kosovës, pas trazirave të fundit.”, i ka thënë Stoltenberg presidentit turk.
Në takimin jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE meqenëse kjo është rruga e vetme drejt paqes.
“Mesazhi ynë si për Beogradin ashtu edhe për Prishtinën është se ata duhet të angazhohen në mirëbesim në dialogun e lehtësuar nga BE; kjo është e vetmja rrugë drejt paqes. Në të njëjtën kohë, NATO ka përgjegjësi për të siguruar stabilitet në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse ne kemi qenë atje për shumë vite dhe pse tani po rrisim praninë tonë në rajon”, ka thënë Stoltenberg./GazetaSinjali