Vuçiq bëhet qesharak: Policët kosovar thanë se po kërkonin kërpudha

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq në një konferencë për media ka folur për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat speciale të Serbisë.

Vuçiq tha se “vetë Albin Kurti e ka pranuar se ka shkelur të drejtën ndërkombëtare duke deklaruar se tre shqiptarët e arrestuar ishin 300 metra nga kufiri administrativ me Serbinë, duke qenë se sipas marrëveshjes ushtarako-teknike ata duhet të raportojnë mbërritjen e tyre një kilometër nga kufiri”.

Vuçiq tha se të arrestuarit kanë thënë se po kërkonin kërpudha dhe se GPS-i nuk funksiononte, raporton rts, transmeton Indeksonline.

Vuçiq pretendon se ushtria serbe nuk e ka kaluar kufirin dhe se s’është futur brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Vuçiq thotë se një gjë të tillë “mund ta konfirmoj edhe KFOR-i”.

Sipas presidentit serb, “tre policët e Kosovës janë arrestuar pa asnjë të shtënë” dhe se “arrestimi i tyre ka ndodhur thellë në territorin e Serbisë, 19 kilometra nga toka, dhe 4.1 kilometër vijë ajrore nga kufiri”.

“Për sa i përket ngjarjes së djeshme, ne ndryshe nga disa të tjerë po sillemi si një vend serioz. Kështu do të trajtojmë personat që janë ndaluar. Ata nuk kanë marrë asnjë rrahje, as nuk janë keqtrajtuar”, deklaroi Vuçiq.