Rozeta Hajdari flet rreth pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës

Të mërkurën Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka marrë vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit të mediumit Klan Kosova.

Ministrja Rozeta Hajdari ka dhënë sot detaje për vendimin e marrë.

“Arsyeja se pse është pezulluar çertifikata e biznesit, vendimi që është marrë dje. Që të jemi të qartë edhe njëherë se dokumentacioni me adresë Gjakovë/Serbi dhe aq më tepër Pejë/Serbi është veprim shumë i rëndë para ligjit, para Kushtetutës dhe është e papërgjegjshme kjo situatë. Dhe për këtë arsye ne e kemi proceduar për hetime”, tha ajo.

“Por, siç e dini ARBK e trajton rastin e kompamisë vetëm si biznes, çështjet e mediave si të tillë trajtohen nga Komisioni i Pavarur i Mediave dhe as ne e as qeveria as nuk hap e as nuk mbyll media”, theksoi Hajdari.

“Detyrë e çdo zyrtari publik është që ta mbrojë Republikën e Kosovës duke filluar nga emri zyrtar i saj. Dhe duhet ta keni parasysh se për këtë nuk kam kompromis. Më vjen keq që kjo ka ndodhur me një biznes që ushtron veprimtari të informimit publik dhe e bën edhe më të rëndë”, tha e para e MINT-it.