Reagon Rohde, kërkon ndalimin e kërcënimeve ndaj policëve të rinj serbë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj kërcënimeve që pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb janë duke marrë, duke kërkuar që këto kërcënime të ndalen.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pasi pjesëtarët e rinj të Policisë së Kosovës të cilët janë nga komuniteti serb, kanë marrë kërcënime se janë në Polici të Kosovës.

Ndërsa, kryediplomati gjerman në Kosovë ka thënë se kjo fushatë e frikësimit është shqetësuese.

“Kjo fushatë frikësimi është absolutisht shqetësuese. Duhet të ndalet menjëherë”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Më tutje, ai ka thënë se policët e rinj duhet të kenë mbështetje.

“Policët e rinj të Kosovës nga komunitetet e pakicës boshnjake, rome, serbe dhe turke meritojnë të gjithë mbështetjen, veçanërisht nga komunat dhe qytetarët ku janë të dislokuar”, ka përfunduar ambasadori gjerman në Kosovë.