Personat që e përdorin Facebookun dhe Instagramin në rreth 30 vende europiane së shpejti do të përballen me një zgjedhje.
Ata mund të pajtohen të shikojnë reklama të bazuara në gjurmimin e Meta-s për atë që bëjnë në internet dhe vendndodhjen e tyre. Ose mund t’i ndalojnë reklamat në Facebook dhe Instagram nëse paguajnë rreth 16 euro në muaj.
Facebook dhe Instagram pa reklama nuk janë të disponueshme në Shtetet e Bashkuara.
Abonimi i shpallur të hënën – me një çmim më të lartë se një abonim standard i Netflix – duket se është mënyra e zgjuar (ose cinike) e kompanisë Meta për ta ofruar një version me pagesë që pak njerëz do ta blejnë për t’ua mbyllur gojën rregullatorëve europianë duke i shtrënguar rregullat e biznesit të Meta-s.
Megjithatë, abonimi i Meta-s mund të jetë testi më i madh ndonjëherë nëse njerëzit janë aq të neveritur nga reklamat në internet që i gllabërojnë të dhënat, saqë disa prej tyre do të paguajnë për të mos i parë ato reklama.
Për europianët që paguajnë për një abonim, Meta do të grumbullojë aq të dhëna për ta si më parë. Meta thjesht nuk do ta përdorë atë informacion për të shfaqur reklama.
A ia vlen të paguash për Facebook dhe Instagram?
Vetëm ju vetë mund të vendosni se çfarë vlejnë për ju Facebooku dhe Instagrami pa reklama.
Por evropianët që zgjedhin të paguajë abonimin mund të sjellin më shumë para për Meta-n.
Nga llogaritjet e përafërta nga zbulimet financiare të Meta-s, kompania gjeneron mesatarisht më pak se 7-8 dollarë çdo muaj nga çdo person që përdor Facebook në Europë.
Këto shifra numërojnë njerëz në vende të mëdha si Rusia dhe Turqia, të cilët nuk do të kenë mundësinë e një abonimi pa reklama.
Kjo do të thotë se duke paguar rreth 16 euro për Facebook dhe Instagram pa reklama, Meta mund të fitonte më shumë para nga një abonim sesa do të fitonte kompania nga shfaqja e reklamave.
Ndoshta po mendoni se nuk ka asnjë mënyrë që të paguani për Facebook ose Instagram. Por rreth 80 milionë njerëz që nga viti i kaluar u pajtuan në versionet e YouTube me veçori të tilla si ndalimi i reklamave. (Kjo shifër përfshin njerëz që paguanin një abonim në YouTube falas.)
Aplikacioni i transmetimit të drejtpërdrejtë Twitch gjithashtu ka një abonim për 11,35 euro në muaj për të hequr reklamat.
TikTok është ndër aplikacionet që po e testojnë të njëjtën gjë./Washington Post