Sekuestrohen mjete të rrezikshme që do të mund të përdorshin për sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri

Në veri të Mitrovicës, në lagjen e Boshnjakeve, Policia e Kosovës ka sekuestruar mjete të rrezikshme, përfshirë tela gjemborë të improvizuar, bomba tymosëse, municion dhe një uniformë, e cila ngjan me ato të përdorura nga grupi terrorist në Banjskë.

Në veri të Mitrovicës janë gjetur mjete të rrezikshme që do të mund të përdoreshin për sulme ndaj Policisë duke rrezikuar jetën e policëve dhe qytetarëve.

Sipas Policisë, në lagjen e Boshnjakeve, përball Shkollës së Mesme Teknike, në orët e hershme kanë pranuar informacione nga qytetarët lidhur me fshehjen e disa gjerave (pajisjeve te rrezikshme) të dyshuara që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve apo paraqesin rrezik potencial për përdorim të tyre edhe ndaj personelit policor, si dhe pengimin ne realizimin e detyrave ligjore.

Me ç‘rast në lagjen e Boshnjakeve Policia ka realizuar një operacion kontrolli dhe aty kane gjetur tela gjemborë të improvizuar (iriqë), bomba tymosëse, municion dhe një uniformë.

Vlen të theksohet se sipas Policisë, uniforma e gjetur është e ngjashme me uniformat që janë përdorur nga grupi terrorist ne Banjskë në shtator të këtij viti.

Siç thuhet tutje në njoftim, aksionet operative policore në terren janë ende duke vazhduar me qëllim të identifikimit të automjeteve të huaja të dyshuara për të parandaluar rrezikimin e qytetarëve apo për të parandaluar ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës.