Biznesmenët serbë protestojnë në veri për shkak të ndalimit të importit dhe konfiskimit të mallrave që vijnë nga Serbia

Në qendër të Mitrovicës së veriut, biznesmenët serbë në Kosovë janë duke protestuar për shkak të ndalimit të importit dhe konfiskimit të mallrave që vijnë nga Serbia, raporton Kossev.

Në fillim të shëtitores dhe monumentit të “Prince Llazarit” janë mbledhur disa qytetarë.

Protestuesit po nënshkruajnë një peticion, i cili kërkon të mundësohet importi i të gjitha llojeve të mallrave të prodhuara në Serbi.

Si formë shtesë proteste është paralajmëruar sot pezullimi i punës së subjekteve afariste nga ora 12:00 deri në orën 14:00.

Vendimi është marrë në një takim të mbajtur nga biznesmenët të premten.Në emër të biznesmenëve ka folur Dushan Gashiq, raporton Kossev.

“Është e pamundur të jetosh dhe të punosh në këto kushte. Ne duam që të ndalen veprimet e njëanshme në lidhje me ndalimin e importit të mallrave me origjinë serbe; të kthehen në mënyrën e vjetër, para muajit qershor, që njerëzit të hanë e të pinë çfarë të duan. Gjithashtu, një theks i madh duhet t’i kushtohet barnave, sepse kemi edhe ndalimin e tyre. E gjithë kjo është absurde. Thjesht, jemi në një situatë të pabesueshme nga e cila nuk mund të shohim rrugëdalje dhe për këtë jemi mbledhur këtu për të gjetur një zgjidhje”- ka thënë Gashiq.

Pas nënshkrimit të peticionit, Gashiq thotë se do t’ua dërgojë zyrtarëve në Kosovë, por do të kërkojë edhe takime personale me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe ambasadave perëndimore, të cilëve do t’u dërgojë edhe një kopje të peticionit.