Rritja e numrit të rasteve pozitive me COVID-19 ka bërë që sot të mblidhet komitetit ndërministror për t’i shqyrtuar masat e reja antiCOVID-19.
Në këtë mbledhje pritet të propozohet që gastronomia të punojë deri në orën 21:00 dhe ora policore të vendoset prej orës 22:00.
Po ashtu mësohet se do të shqyrtohet edhe që në Kosovë të lejohet hyrja e personave që janë të vaksinuar me tri doza antiCOVID-19.
Mbledhja ndërministrore pritet që të mbahet sot në ora 09:00.
Ndërsa të mërkurën Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njoftoi për 2 mijë e 50 raste. Ndërsa një ditë më parë ishin 720 raste të reja.
Ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë (MSh) u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen meqë Omicron është bërë variant dominues.
“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, sidomos format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, i bëhet thirrje popullatës së moshës mbi 12-vjeçare që të vaksinohen”, thuhet në komunikatën e lëshuar një ditë më parë nga MSh.