Për një qytet më të mirë

Autor: Arber Sadiki

Qytetari i Athinës antike kishte një parim rreth të cilit ndërtonte gjithë filozofinë jetësore:

“Të linte qytetin më mirë se që e kishte gjetur”.

Pra, që ta sqarojmë që në fillim: Ky nuk ishte parim vetëm i ndërtuesëve të Athinës, por i të gjithë qytetarëve të saj. Ata, me kohë e kishin kuptuar se cilësia e jetës në një qytet është bashkësi e komponentave të ndryshme, si: banimi, koha e lirë, rekreacioni, ekonomia, puna, edukimi, prodhimi, etj., të cilat funskionojnë si një sistem. Mosfunksionimi i njërës, reflekton pashmangshëm tek tjetra dhe rrjedhimisht tek cilësia e përgjithëshme e jetës që ofron një qytet. S’ka dyshim që komponenta më lehtë e lexueshme e cilësisë që ofron një qytet, është komponenta fizike hapësinore, që në gjuhën profesionale e quajm urbanizëm/urbanistikë. Urbanizmi është e vetmja komponentë fizike e urbanitetit, për atë edhe është më lehtë e lexueshme për gjithësecilin. Të tjerat janë shpirtërore, shoqërore, kulturore, përjetuese, antropoligjike, psikologjike, ekonomike, historike, etj., shumë më vështirë të lexueshme, të matëshme, të diagnostifikueshme në kuptimin e problematikave që ngërthejnë dhe rrjedhimisht edhe më vështirë të zgjidhëshme.

Por, që të gjitha reflektohen drejtpërdrejt tek ajo fizikja – urbanizmi/urbanistika, aty s’ka fije dyshimi.

Të pretendohet që të kemi cilësi tek fizikja – pra urbanizmi, pa arritur këtë cilësi paraprakisht tek komponentet jo-fiziket që rreshtuam më sipër, është më shumë se iluzion. Nuk ka dyshim, që në një fazë të mëvonshme, këto fillojn dhe e plotësojn njëra-tjetrën, pra duke kontribuar edhe fizikja (urbanizmi) tek formësimi kulturor, shpirtëror, shoqëror, antropologjik e psikologjik i qytetarit, por që historia e qytetërimit na tregon se gjithmonë fillon nga komponentet jo-fizike. Pra, nuk njihet ndonjë qytetërim ku zanafillla e tij niset nga organizimi i mirë urbanistik i cili pastaj ka prodhuar qytetërim cilësor në të gjitha komponentet e cekura më sipër, por gjithmonë ka ndodhur e kundërta: Një shoqëri e ndërtuar mirë mbi parime të shëndetëshme shoqërore, kulturore, ekonomike, ligjore dhe me vizion të qartë pët të ardhmen, ka prodhuar qytete të jashtëzakonshme edhe në termat urbanistik.

Këto thënë më sipër, jo për herë të parë nga ana ime, këtë herë mund të tingëllojn si tendencë për ti ikur përgjegjësisë me të cilën po ngarkohem në pozitën e udhëheqësit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës! Në fakt është e kundërta. Si dikush, që përgjatë njëzet viteve punë profesionale, qoftë si projektues, hulumtues, kritik e edukator, gjithmonë aktivitetin e tij e ka parë si një copëz kontributi brenda një sistemi vlerash për një qëllim të përbashkët publik, ndiej për detyrim që edhe në këtë angazhim timin të ri, të sqaroj se filozofia ime e veprimit nuk do të jetë aspak ndryshe. Edhe këtë herë unaza e zinxhirit të sistemit që krijon qytetin, e menaxhuar nga unë, do të jetë plotësisht e drejtuar në shërbim të të mirave të përgjithëshme të shoqërisë duke ndjerë peshën e copëzës së përgjegjësisë dhe mosfunskionimin e tërësisë si rrjedhojë e kësaj mospërmbushjeje eventuale.

Tani, po mundohet të jem më konkret duke u përqendëruar tek parimet kryesore mbi të cilat do të ndërtohet filozofia e funksionimit të unazës të quajtur urbanizëm brenda zinxhirit të bërbërë nga shumë unaza të tjera në kompleksitetin e quajtur QYTET.

Kur për herë të parë më është ofruar kjo pozitë – fare e papritur për mua, drejtpërsëdrejti nga kryetari i ri i Prishtinës, përgjigja ishte: “Më duhet të mendoj. Do përpiqem të dëgjoj zemrën, se po dëgjova mendjen, përgjigja do të jetë JO”. Është fare e qartë se në mes të rrugës për t’ju futur një mali me probleme që ka Prishtina duke marrur përgjagjësi në tendencën për ti zgjidhur ato dhe të qëndruarit anash dhe shikuar se ç’po ndodh si një spektator her pas here aktiv, s’do mend që kjo e dyta do ishte rruga më e lehtë. Por, ja që asnjë vendim në jetën time nuk e kam marrur duke kalkuluar çka është më e lehtë dhe çka më e vështirë, por në saje të asaj se çka e kam ndjerë për obligim dhe çka jo. Obligimet gjithmonë ndjehen me zemër sepse mendja gjithmonë ka atë shkathtësinë djallëzore justifikative për ti ikur atyre. Ndaj, duke vendosur me zemër, por plotësisht i vetëdijshëm për problemet e mëdha që ka kryeqyteti jonë, do të angazhohem tërësisht për aq sa lejon kapaciteti im njerëzor e profesional që të shërbej për një jetë më të mirë të qytetarëve.

Duhet nënvizuar se Prishtina si kryeqytet i Republikës së Kosovës, përfaqëson dhe ofron shërbime jo vetëm për qytetarët e saj, por për të gjithë qytetarët e vendit. Si e tillë, ndaj saj obligohen moralisht por edhe juridikisht (LIGJI NR. 06/L-012 për Prishtinën) që të përkujdesen jo vetëm instancat e nivelit lokal por edhe ato të nivelit qendrore. Në këtë drejtim, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës, bazuar në përvojën e saj në implementimin e të gjitha ligjeve dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me fushën e planifikimit dhe urbanizmit duke identifikuar të gjitha mangësitë dhe mospërputhëshmëritë mes ligjeve të ndryshme, problemet në implementim, etj., do të jetë në dispozicion të plotë të institucioneve qendrore kompetente për përmirësimin e tyre, duke ndarë me ta gjithë këtë eksperiencë. Të njëjtën qasje e sheh si obligim edhe nga ana tjetër.

Pavarësisht se Drejtoria e Urbanizmit ka për detyrë të bëjë zbatimin e dokumentëve planor dhe jo përpilimin e tyre, bazuar në përvojën e saj në implementimin e të gjitha llojeve të dokumentëve planor për njëzet vitet e fundit duke identifikuar të gjitha mangësitë dhe mospërputhëshmëritë e llojeve të ndryshme të këtyre planeve, do të jetë në dispozicion të plotë të të gjithë akterëve të mundshëm që do të jenë të kyçur në hartimin e këtyre dokumentëve për të ndarë me ta gjithë eksperiencën e deritanishme. Shto faktin se në vitin që që kemi hyrë “Plani Zhvillimor Komunal 2012 – 2022” skadon dhe se Ligji NR.04_L-174 për Planifikim Hapësinor i vitit 2013 jep mundësinë që ky plan të përpilohet paralelisht me Hartat Zonale Komunale si dokumente të rangut të dytë, ndarja e përvojës së Departamentit të Urbanizmit me të tjerët është e një rëndësie thelbësore.

Realizimi i Unazës së Prishtinës, si e vetmja zgjidhje e çlirimit të trafikut brenda qytetit, nuk mund të realizohet pa një bashkërendim të të gjitha institucioneve duke filluar nga ato lokale deri tek ato qendrore e ndërkombëtare (në cilësinë e donatorëve). Qyteti nuk do të çlirohet duke zgjeruar rrugët dhe ndërtuar parkingje gjigante në qendër të tij, në këtë mënyrë duke ftuar fluks më të madh makinash në qendër, por duke realizuar unazën e jashtme e cila do të shmangëte në masë të madhe kalimin nëpër qendër të qytetit për të shkuar në cilëndo lagje të tij (siç ndodhë tani). Në këtë drejtim, Drejtoria e Urbanizmit do të harxhojë energjinë e fundit për të kontribuar në cilëndo pikë të realizimit të saj.

Drejtoria e Urbanizmit do të jetë në shërbim të plotë të Kuvendit Komunal të Prishtinës në procesin e plotësimit të rregulloreve ekzistuese dhe përpilimit të rregulloreve të reja që kanë të bëjnë me zbatimin e dokumentëve planor në të mirë të qytetarëve të Prishtinës. Kjo drejtori do të jetë kurdoher e gatëshme për secilin anëtar të kuvendit të ofrojë sqarime shterruese teknike për cilëndo paqartësi të gjithësecilit.

Drejtoria e Urbanizmit do të jetë në shërbim të plotë të departamenteve simotra komunale, mbi të gjitha atë të Planifikimit dhe Inspektoriatin në mënyrë që i gjithë cikli investiv prej fazës së planifikimit e deri tek ai i futjes në shfryrëzim të investimit, të jetë brenda ligjit dhe rregullave të përcaktuara paraprakisht me të cilat investitori është pajtuar çastin e nisjes së investimit dhe si të tilla duhet t’i rrespektoj deri në fund.

Drejtoria e Urbanizmit do të jetë në shërbim të plotë të investitorëve në kërkim të zgjidhjeve më të mira për të gjithë. Një cilësi urbanistike më e mirë për qytetarët nënkupton edhe vlerë e shtuar për investitorët. Në këtë drejtim, nuk do të mjaftohemi vetëm me plotësimin e kritereve minimale të propozimeve që ofrohen nga investitorët, por do të angazhohemi të gjithë bashkarisht që brenda kriterve të domosdoshme të gjindet varianti më kualitativ i cili shkon si në të mirë të qytetarit, njëkohësisht edhe të investitorit. Propozimet e sjellura nga një investitor nuk do të shihen të ndara nga gjendja ekzistuese e lokacionit, zhvillimet që mund të jenë duke nodhur apo propozimet e investitorëve për rreth zonës që mund të jenë në proces të marrjes së kushteve urbanistike. Kjo na bënë të mundur që nga një qytet i fraksionuar, i pa integruar, pa vazhdimësi, me blloqe të izoluara, të kalojm në një qytet fluid ku blloqet lidhen natyrshëm mesvete pavarësisht investitorëve të ndryshëm që mund ti realizojnë.

Projektimi i ndërtesave dhe hapësirave publike do të zhvillohet përmes konkurseve të hapura arkitektonike kredibile. Në të tilla raste më shumë se sa përmbushja e programit të ngushtë funksional do të vlerësohet cilësia e gjërë që sjell ndërtesa në dimensionin urbanistik, publik e social.

Intervenimi në ndërtesat identitare të kryeqytetit të cilësdo periudhë kohore, qofshin ato të mbrojtura apo jo si asete të trashëgimisë arkitekturore, nuk do të lejohet pa ju nënshtruar një debati të gjërë publik tek i cili do të përfshihen të gjitha palët e interesit.

E fundit, por jo më e parëndësishmja, përkundrazi më prioritarja, shqetësimi i secilit qytetarë jo vetëm lidhur me zhvillimet në lagjen e tij, por kudo në Prishtinë sepse simbas parimit të qytetit të hapur çdo pikë e qytetit i takon njëlloj secilit, do të dëgjohet, analizohet dhe merret në konsideratë me profesionalizmin dhe përgjegjësinë maksimale.

Për fund po kthehem atje ku e nisa. Vendimin për t’ju futur kësaj pune e kam bërë me zemër, punën do e bëjë me zemër e mendje, por çastin e parë që e ndjej me zemër se fryma e qytetarit athinas, sidomos tek ata në pozita udhëheqëse pa funksionimin e të cilëve në sistem mundësia për të lënë një qytet më të mirë se sa që e gjejmë nuk duket gjetiu, praninë time në këtë pozicion do t’a vlerësoj të panevojshëm.

Autori është arkitekt me profesion, dhe nga kjo e mërkurë është drejtor i Urbanizmit në Prishtinë. Ky opinion, është shkruar nga ai ekskluzivisht për Klankosova.tv.