Pse Kina vazhdon të prodhojë më shumë makina sesa i duhen?

Nga: Yoko Kubota dhe Clarence Leong / The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Pasi Pekini shkurtoi subvencionet për makinat e vogla elektrike, në vitin 2019 dështoi prodhuesi pak i njohur kinez i quajtur Zhido, meqë u dërrmua shitja e makinave të cilat i prodhonte.

Tani është rikthyer. Në fillim të këtij muaji, kompania lëshoi ​​një automjet të ri mini-elektrik të quajtur “Caihong” – që i bie “Ylberi” – i cili vjen në shtatë ngjyra dhe ka një çmim fillestar në ekuivalent të rreth 4 400 dollarëve [4 100 euro].

Rilindja e Zhido-s erdhi pasi fondet e mbështetura nga shteti dhe dhjetëra investitorë të tjerë, në fund të vitit të kaluar, pompuan një kapital të ri në kompani – pavarësisht sinjaleve të përhapura se Kina ka shumë prodhues të makinave që tejkalojnë nevojat e veta. Zyrtarët e qeverisjes vendore e mirëpritën këtë ringjallje.

“Shpresoj se Zhido mund të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të shëndetshëm të industrisë së automjeteve me energji të re”, u citua të ketë thënë guvernatori i provincës Gansu në Kinë, pasi në mars vizitoi e fabrikën e atjeshme Zhido.

Kina ka histori të gjatë të mbikapacitetit të automjeteve, me më shumë se 100 marka vendore që prodhojnë më shumë automjete sesa që blejnë shoferët e vendit për çdo vit.

Megjithatë, qeveria vazhdon të mbështesë kompanitë e tilla si Zhido dhe të tjera, duke inkurajuar prodhuesit joprofitabilë të makinave që të vazhdojnë të prodhojnë – në kohën kur zyrtarët përpiqen të nxisin rritjen ekonomike, të ruajnë vendet e punës dhe të zgjerojnë rolin e Kinës në biznesin global të automjeteve elektrike.

Inkurajimi i tillë, i cili gjithashtu vjen në formën e subvencioneve për prodhuesit e automjeteve, shton makinat në tregun global që rrezikon të bëhet më i mbifurnizuar.

Sipas të dhënave nga firma strategjike me bazë në Shangai, Automobility, si dhe shifrave të shitjeve nga Shoqata e Kinës për Makinat e Pasagjerëve, Kina aktualisht ka kapacitetin për të prodhuar rreth 40 milionë automjete në vit, megjithëse shet vetëm rreth 22 milionë makina brenda vendit.

Kjo situatë ka çuar në një luftë brutale me Tesla-n dhe të tjerët që t’i ulin çmimet në Kinë, ndërsa ka shkaktuar frikë në ShBA dhe në Evropë se prodhuesit kinezë të automjeteve do të vërshojnë vendet e tjera me makinat që nuk shiten.

Mbikapaciteti është veçanërisht i dukshëm për makinat me motorë me djegie të brendshme, interesimi për të cilat po bie pasi konsumatorët kinezë po kalojnë në EV.

Por, mbikapaciteti është gjithashtu problem për automjetet elektrike kineze, me shumë kompani që luftojnë për hisen e vet në treg. Vitin e kaluar, 123 marka shitën të paktën një automjet elektrik në Kinë, ka thënë Stephen Dyer, konsulent në AlixPartners me bazë në Shangai.

Uashingtoni është i shqetësuar se kompanitë kineze do të përpiqen të hedhin në ShBA automjetet e subvencionuara, pavarësisht tarifave të larta amerikane për makinat e importuara kineze. Vitin e kaluar, Evropa hapi një hetim mbi subvencionet kineze të automjeteve elektrike, gjë që ka të ngjarë të rezultojë në tarifa të importit në muajt e ardhshëm.

Eksportet e makinave të Kinës janë pothuajse pesëfishuar – gjatë vetëm tre vjetëve – në rreth pesë milionë automjete në vitin 2023, duke shkaktuar pjesërisht shqetësimet e mësipërme amerikane dhe evropiane. Tri të katërtat e eksporteve, në vitin e kaluar, ishin makina me motor me djegie të brendshme, shumë prej të cilave shkonin në Rusi, megjithëse gjithashtu po rritet numri i automjeteve elektrike që dërgohen jashtë shtetit.

Zyrtarët kinezë thonë se kritikat ndaj politikave të saj për industrinë e automjeteve, janë të padrejta dhe se makinat kineze janë inovative dhe se ofrohen me vlerë të mirë – diçka që thonë edhe shumë ekspertë të industrisë së automjeteve dhe drejtues të huaj të prodhuesve të makinave. Nëpërmjet Aktit të Reduktimit të Inflacionit, të cilin Kina e ka sfiduar në Organizatën Botërore të Tregtisë, ShBA-ja gjithashtu përdor mbështetjen e qeverisë për të promovuar industrinë e saj të automjeteve elektrike.

Ajo që është e qartë është se industria e automobilave në Kinë është në modalitetin e zgjerimit, edhe pse rritja e saj e shitjeve të brendshme është ngadalësuar.

Në ekspozitën “Auto China” në Pekin – ekspozita më e madhe e makinave në vend, e cila filloi të enjten – po shfaqen afro 300 modele automjetesh elektrike [EV] dhe hibride [PEV]. Ato përfshijnë një sedan elektrik sportiv të prezantuar nga Xiaomi – nga prodhuesi kinez i telefonave të zgjuar i cili sapo ka hyrë në prodhimin e makinave, dhe i cili planifikon të dorëzojë 100 mijë automjete në këtë vit.

Pas ristrukturimit të tij në tetor – i cili përfshinte një njësi të kompanisë shtetërore China Three Gorges dhe prodhuesin kinez të automjeteve Geely – Zhido tani synon të dyfishojë çdo vit shitjet (deri më 2026) dhe të nxjerrë 16 modele të reja (deri në vitin 2028). Planifikon të zgjerojë kapacitetin e prodhimit në fabrikën e saj në Gansu me 300 mijë automjete në vit dhe “të kultivojë në mënyrë aktive biznesin e vet jashtë shtetit”.