Faza sulmuese e Real Madridit do të forcohet ndjeshëm gjatë verës, kur Kylian Mbappe dhe Endrick Felipe të bëjnë ardhjet e tyre të shumëpritura, por pavarësisht se dy sulmues nënshkruajnë, nuk ka plane për të ndarë rrugët me Joselu Mato.
Tifozët e Los Blancos ngritën vetullat verën e kaluar kur Joselu ishte nënshkrimi i tyre i vetëm në sulmu, pavarësisht largimit të Karim Benzema në Al-Ittihad.
Sipas gazetarit të Sky Germany, Patrik Berger, Real Madrid do të aktivizojë opsionin e blerjes për Joselun në marrëveshjen e tyre të huazimit me Espanyol.
Shuma që do të duhet të paguajnë është qesharake për nivelin e treguar. Vetëm 1.5 milionë euro.
Paratë do të ndihmojnë gjithashtu Espanyolin me probleme e tyre financiare, të cilat mund të përkeqësohen edhe më shumë nëse ata nuk arrijnë të ngjiten në La Liga.
Sido që të jetë, Real Madridi do të vazhdojë të llogarisë te Joselu edhe për të paktën 12 muaj të tjerë./Telegrafi/Spektri/