Sinani: Mbyllja e Rrugëve Rrezikon Paqen dhe Stabilitetin në Rajon

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar nëpërmjet postimit në facebook për bllokimin e rrugëve, sidomos pikave kufitare mes Serbisë dhe Kosovës.

Ajo është shprehur e shqetësuar për veprimet që po ngritin tensione dhe po shkaktojnë destabilitet në rajon. – “Si Kryetare e Komunës së Preshevës, edhe pse vendkalimet në Muçibabë dhe te Dheu i Bardhë aktualisht nuk janë të bllokuara, unë jam thellësisht e shqetësuar me veprimet që kanë ngritur tensione dhe destabilitet në rajon.” 

Kryetarja vuri në dukje se komuna e saj ka një numër të madh studentësh dhe punëtorësh që udhëtojnë përditë drejt Kosovës. Sinani paralajmëroi se çdo akt mbylljeje të dhunshme, qoftë përmes protestave apo metodave të tjera, përbën një rrezik të madh për rritjen e problemeve, duke rënduar më tej situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ajo theksoi se kjo vetëm sa e përkeqëson jetën e përditshme të qytetarëve, të cilët tashmë përballen me sfida të mëdha ekonomike dhe shoqërore, duke shtuar ndjenjën e izolimit.

Në fund, Sinani bën thirrje urgjente ambasadave të SHBA-së, shteteve anëtare të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. – “Duhet të angazhohemi për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve për lëvizje të lirë dhe jetesë të qetë.”

 

 

Postimi i plotë në facebook:

https://www.facebook.com/kryetare