Ndotësit nga stufat e gazit vrasin 40,000 evropianë çdo vit, zbulon një raport

Stufat me gaz vrasin 40,000 evropianë çdo vit duke “pompuar” ndotës në mushkëritë e tyre, ka gjetur një raport.

Sipas The Guardian,  stufat nxjerrin gazra të dëmshëm të lidhur me sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, por ekspertët paralajmërojnë se ka pak ndërgjegjësim publik për rreziqet e tyre.

Madje, mesatarisht, përdorimi i një stufe me gaz “gërryen” gati dy vjet nga jeta e një personi, sipas një studimi të familjeve në BE dhe MB.
“Shkalla e problemit është shumë më e keqe nga sa mendonim”, ka thënë autorja kryesore Juana María Delgado-Saborit, e cila drejton laboratorin e kërkimit të shëndetit mjedisor në “Jaume I University” në Spanjë.

Studiuesit ia atribuuan 36.031 vdekje të hershme çdo vit sobave me gaz në BE dhe 3.928 të tjera në MB.

Sipas shkrimit të The Guardian, një në tri familje në BE gatuan me gaz, duke u rritur në 54% të familjeve në MB dhe më shumë se 60% në Itali, Holandë, Rumani dhe Hungari.

Rezultatet thuhet se janë në përputhje me një studim në SHBA në maj, i cili zbuloi se stufat me gaz dhe propan kontribuojnë deri në 19,000 vdekje të të rriturve çdo vit. /Telegrafi/