Në mbledhjen e bordit drejtues të klubit të futbollit Dinamo Vranjë, anëtar i Ligës së tretë në Serbi, është marrë vendim për tërheqje nga liga, ka konfirmuar Dragan Antiq Reçko, president, trajner dhe një prej financuesve të klubit për një kohë të gjatë.
Mbledhja është mbajtur të shtunën mbrëma dhe është vendos që klubi të largohet nga gara aktuale.
Edhe pse klubi tashmë ka promovuar trainerin e ri Nebojsha Vuçiqeviq, legjendën e futbollit të Partizanit, stërvitjet dhe përgatitjet janë ndërprerë, sipas klubit të Vranjës.
Në faqen e klubit në rrjetet sociale është publikuar një deklaratë, sipas të cilës arsyeja e menjëhershme e këtij përfundimi me Dinamon është shpërndarja e parave për sportin për vitin 2022 nga Komuna e Vranjës.
“Kjo shpërndarje është krim.
Dinamo ka marrë 6.5 milionë, klubi i hendbollit gati 10 milionë dhe Mineralac 4.5 milionë.
Ne mund të kuptojmë gjithçka, por nuk na shkon mendja me çfarë të drejte këshilltari i qytetit për sport Nenad Gjorgjeviç dhe kryetari i komunës Slobodan Milenkoviç po shkatërrojnë FC Dinamo, brendin më të madhe të futbollit në qytet.
Klubi u themelua në vitin 1947, shumë kohë përpara se të dy të lindnin.
Të gjithë kultivojnë dhe ushqejnë markat e tyre, vetëm pushteti vendor po mundohet ta shemb dhe ta shkatërrojë”, thuhet në klubin e Vranjës.
Drejtuesit thonë se “nuk prisnin që qyteti të ndante 100 milionë” për të financuar Dinamon, por këmbëngulin “që të respektohet tradita dhe rezultatet që klubi ka arritur në historinë e tij”.
“Viteve të fundit klubi i futbollit Dinamo nga Vranja është shkatërruar qëllimisht dhe sistematikisht nga disa drejtues të pushtetit vendor, aq sa kemi ardhur në një situatë ku duhet të tërhiqemi nga liga” ka thënë Dragan Antiq Reçko, ish-trajneri dhe presidenti i këtij klubi futbollistik.
Antiç tha se ai dhe djali i tij për vite me radhë dhanë paratë e tyre, për të shpëtuar klubin nga mbyllja.
“Ja, le të luajnë tani Boske, Gonzi dhe Nashi. Ata duan të shkatërrojnë sportin në Vranjë. Pas këtij vendimi të qeverisë qëndron vetëm prapavija politike, asgjë veç politikës”, tha Antiq.
KF Dinamo e Vranjës në vitet e kaluara në disa raste ka paralajmëruar tërheqje nga gara, duke i shpjeguar këto njoftime me mjete të pamjaftueshme financiare të ndara nga vetëqeverisja lokale për këtë klub.
Dinamo përfundoi në vendin e parafundit, të pesëmbëdhjetë në gjysmësezonin vjeshtor në Ligën Serbe Lindore (liga e tretë) me 7 pikë të fituara, 4 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje.
Klubit i janë hequr 7 pikë për shkak të penalltive në sezonin e kaluar dhe gjatë këtij sezoni.
Me ato shtatë pikë, ata do të avanconin një ose dy vende në tabelë.
Vetëm dy vite më parë, në sezonin 2018/2019, Dinamo garonte në Superligë, kompeticionin më elitar të futbollit serb.
Ndërkohë, pas një sezoni të Superligës dhe rënies nga kategoria, ai u largua menjëherë nga Liga e Parë e Serbisë sezonin e ardhshëm./Spektri