Doganierët në Preshevë kanë sekuestruar një orë luksoze të padeklaruar me vlerë mbi njëqind mijë euro. Por pikërisht për shkak të vlerës së orës “Patek Philipp”, ata kanë sekuestruar edhe makinën me të cilën pasagjerët tentuan ta kontrabandonin.
Shkak për sekuestrimin e makinës “Porsche Carrera” është deklaruar se “vlera e mallit kalon një të tretën e vlerës së mjeteve të transportit të përdorura për transportin e mallrave”.
Siç sqarojnë Drejtoria doganore për H1, vetura mund të konfiskohet për shkak të vlerës së lartë të mallit të kontrabanduar, por edhe për shkak se është ndërruar qëllimisht për nevoja të kontrabandës. E gjithë kjo, theksojnë ata, është e përcaktuar me ligj.
Sipas bashkëbiseduesve të H1, masat mbrojtëse për konfiskimin e mjeteve të transportit janë të parapara me Ligjin për Doganat.
“Mjetet e transportit të përdorura për transportin e mallrave që janë objekt i kundërvajtjes, të parashikuar në nenin 272, do të konfiskohen nëse vlera e mallit në fjalë kalon një të tretën e vlerës së mjetit të transportit”, theksojnë në Drejtorinë doganore.
Në të njëjtin nen të Ligjit për Doganat thuhet se mjetet e transportit do të konfiskohen pavarësisht nga vlera e mallit që është objekt i shkeljes dhe nga vlera e mjetit të transportit, nëse mjeti është i ndërtuar, përshtatur, modifikuar ose posaçërisht në çdo mënyrë tjetër të përshtatur për të fshehur mallin.
“Prandaj mjeti i transportit mund të konfiskohet për shkak të vlerës së lartë të mallit të kontrabanduar, por edhe për shkak të ndryshimit të qëllimshëm për nevoja të kontrabandës”, sqarojnë Drejtoria doganore.
Një nga rastet e tilla ishte edhe rasti i sapopërmendur i konfiskimit në vendkalimin e Preshevës.
Ora luksoze “Patek Philipp”, vlera e së cilës llogaritet në 115 mijë euro, ka qenë në dorën e një shtetasi të Maqedonisë, i cili drejtonte veturën “Porsche” me targa gjermane. Për orën, siç thuhet, pasagjeri nuk ka pasur asnjë dokument shoqërues.
“Pasi nuk ka bërë regjistrimin e mallit në hyrje të Republikës së Serbisë, ora e dorës “patek filip” në vlerë prej 115.000 euro është ndalur përkohësisht, ndërsa pasi që vlera e mallit kalon një të tretën e vlerës së mjetit për transportin e mallit, përkohësisht është ndaluar edhe vetura” kanë thënë në Doganë.
Procedura gjyqësore është zhvilluar sipas procedurës së përshpejtuar pasi është shtetas i huaj.
“Gjykata për Kundërvajtje në Preshevë ka marrë aktgjykim të shkallës së parë me të cilin është shqiptuar gjobë prej 150.000 dinarë dhe masë mbrojtëse konfiskimi i mallit – orës “Patek Filip” dhe një veture “Porsche 911”, thuhet në Drejtorinë doganore.
Çka do të ndodh me Porschen?
Kundërvajtjet doganore, të cilat zbulohen nga doganierët, më tej trajtohen nga gjykatat për kundërvajtje nën juridiksionin vendor.
“Gjykata është instanca që vendos për fatin përfundimtar të mallit të konfiskuar në kundërvajtje, si dhe për masat mbrojtëse”, sqarojnë Drejtoria doganore.
Kështu, nëse gjykata urdhëron aktgjykim të formës së prerë për konfiskimin e përhershëm të mallit nga kundërvajtja, varësisht nga natyra e mallit, gjykata merr vendim për trajtimin e mëtutjeshëm.
Kur bëhet fjalë për mallrat e konsumit, shitja e atyre mallrave porositet në ankande publike. E njëjta gjë ndodh edhe me automjetet e sekuestruara me shkelje për çfarëdo arsye”, sqarojnë për portalin H1 në Drejtorinë doganore.
Nuk ka të dhëna të unifikuara se sa automjete janë konfiskuar për shkak se malli në shkelje vlente më shumë se një e treta e vetë automjetit.
Ai informacion shihet, shpjegojnë bashkëbiseduesit e portalit H1, vetëm duke parë çdo aktgjykim individual.
“Detyra e shërbimit doganor është të bëjë kallëzim kundërvajtës dhe të zbatojë vendimin përfundimtar të gjykatës, gjegjësisht të organizojë ankand publik në të cilin do të shitet malli për të cilin është porositur”, theksojnë nga Drejtoria doganore.
Ankandet publike organizohen nga Drejtoria doganore në zyrat doganore kur grumbullohet një sasi e mjaftueshme e mallit për shitje./Spektri