Edhe Shqipëria në humbje, më shumë vdekje!

Shqipëria është në krizë demografike. Për herë të pare, vitin e kaluar numri i vdekjeve kaloi atë të lindjeve. Sipas Instat, shtesa natyrore rezultoi negative në 2021 me mbi 3200 vdekje më shumë se sa lindje në të gjithë vendin.

Që prej vitit 1923 kur nisën të kryheshin regjistrimet demografike për popullsinë në vend, lindjet kanë qenë më të larta se vdekjet duke bërë që Shqipëria të kishte një shtesë natyrore pozitive të popullsisë.

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave në vitin 1990 ky tregues arrinte në 63.9 mijë lindje më shumë se humbje jete.

Por, që prej asaj kohe ky tregues ka ardhur në tkurrje të ndjeshme pasi lindshmëria ka parë rënie të vazhdueshme. Rënia më e theksuar është evidentuar në dy dekadat e fundit, pas vitit 2000 e në vijim, ku kambana e alarmit tashmë kishte nisur.

Në atë periudhë, shtesa natyrore llogaritej në 34.8 mijë lindje më shumë se vdekje duke vazhduar trendin e rënies ndër vite deri në fund të vitit 2020, që do të ishte viti i fundit kur lindjet do të dominonin mbi vdekjet me 470 lindje më shumë se humbje jete.

Deri në atë periudhë Shqipëria do të karakterizohej nga shtesë natyrore pozitive. Përpjekjet e shtetit për të nxitur rritjen e lindshmërisë përmes politikave të ndryshme si ajo e fundit për bonusin e bebes duket se kanë qenë të pamjaftueshme, pasi tregues që do të ndryshonte tërësisht vitin e kaluar ku rastet e vdekjeve do të tejkalonin për herë të parë lindjet.

Kjo situatë thuhet në publikimin e fundit të Instat është ndikuar së tepërmi nga pandemia e Covid-19, ku vetëm në dy vitet e fundit, nga periudha e nisjes së pandemisë e deri në fund të vitit 2021 janë regjistruar në total mbi 51 900 vdekje në të gjithë vendin.

Vitin e kaluar humbën jetën mbi rreth 30 580 persona, shifra më e lartë e regjistruar sipas Instat. Referuar të dhënave, niveli i vdekshmërisë ka filluar të rritet ndjeshëm pas vitit 2001 e në vijim për të mbërritur tashmë në këtë shifër rekord vdekshmërie./tch