Projekti i arkitektit Arbër Sadiki, për xhaminë e ndërtuar më 2015 në Tupallë të Medvegjës, ka hyrë në listë për çmimin më prestigjioz global për arkitekturën e objekteve të kultit islam “Abdullatif Al Fozan”.
Këtë e ka bërë të ditur vetë arkitekti në rrjetin social Facebook javën e kaluar.
“Jam i kënaqur të di se xhamia në Tupallë e ndërtuar në bazë të dizajnit tonë është në listën e ngushtë për Çmimin Al Fozan për Arkitekturë të Xhamisë.
Kushdo që është i interesuar për më shumë detaje, mund të dëgjoj në 18 minutat mendimin e anëtarit të jurisë (në arabisht me titra në anglisht)”, ka shkruar në gjuhën angleze Arbër Sadiki.
Projekti i tij bën pjesë në listën e 22 projekteve që janë duke u vlerësuar për këtë çmim.
Nga juria, projekti i arkitektit me prejardhje nga Bujanoci është vlerësuar për filozofinë që reflektohet në dizajn. Juria ka vlerësuar thjeshtësinë që lidhet me modernizmin e shekullit 20 dhe dizajnin që mundëson dritën natyrale ta ndriçojë objektin.
“Hapësira më e mirë për të reflektuar është ajo e hapura. Kur dikush lutet në ambient të jashtëm, mundësia e reflektimit është shumë e hapur. Por kur mund të arrihet që kjo ndjesi dhe ky reflektim të jenë të mundura në një hapësirë të brendshme në një mënyrë të thjeshtë, mendojmë se është e arritura e madhe që xhamitë në të ardhmen duhet të tentojnë ta bëjnë”, tha juristi.
Xhamia e projektuar nga Sadiki, ka 84 metra katrorë.
Çmimi “Abdullatif Al Fozan” për arkitekturën e xhamive i krijuar në vitin 2011, u jepet arkitetëve përkatës në të gjithë botën, të cilët projektojnë xhami moderne.