Hamdi Jupe
E para zuri shtratin grua ja. Alarm në familje, na ka hyrë Kovidi në shtëpi. Jemi vetëm ne të dy, se fëmijët janë të rritur. Pse të na ndodhte kjo, kur kemi shpëtuar prej kaq muajsh pa pësuar gjë? Mendonim se ia kishim hedhur. Tani ka filluar edhe vaksinimi. Punë javësh dhe do të na vinte radha edhe neve. Por, ja që nuk ishte e thënë. Ka gjashtë muaj që nuk shkoj në kafene. Jam ndarë nga shokët me të cilët takoheshim çdo të diel te kafe “Libri”. Jam njeri i rregullt, por jo gruaja. Ajo dilte çdo ditë “për sehir” nëpër dyqanet e lagjes me shoqen e saj. Sa herë kemi bërë sherr me të për këto dalje. Po kujt i thua? “U çmenda mbyllur brenda si në burg”, më thoshte. Dhe ja, tani, na e solli “peshqeshin” në shtëpi.
E izolojmë gruan në dhomë më vetë. I ka atje të gjitha ato që i duhen: televizor, frigorifer, telefon, internet. Ushqimin ia lemë te dera. Ajo vuan në dhomën e karantinimit, por nuk e jep veten. Lidhet me telefon me të afërmit e saj në Itali, Greqi etj. Ata andej nuk e dinë që këtu ka plasur Kovidi. Përse ta dinë? Kjo nuk ndihmon askënd. Thjesht do bëhen merak, asgjë më shumë. Veçanërisht do të ishte e rëndë për mamanë e saj në Itali. Më mirë të mos e dinë. Gruaja po luan teatër me ta, teatrin e tragjedisë së jetës.
Unë filloj të kem disa shqetësime. Dhimbje trupi, veçanërisht dhimbje mesi. Kam një kollë të thatë që herë-herë gati më merr frymën. Temperaturë e lartë, mbi tridhjetë e tetë gradë. Prerje oreksi dhe pagjumësi. Janë shenja që na shqetësojnë, prandaj le të bëjmë disa testime dhe analiza. Testimi i parë, tamponi te një klinikë private. Rezultati: negativ. Çfarë gëzimi! Njoftoj menjëherë gruan në telefon për lajmin e mirë. Por, është herët. Ja edhe një tampon tjetër të shpejtë te klinika e lagjes, se jam gazetar, e dua lajmin nga dy burime. Edhe testi i shpejtë del negativ. Njoftoj prapë gruan. Le të gëzojë edhe ajo, sepse optimizmi i bën mirë sëmundjes së saj. Fjala “negativ” është fjala më e dashur në botë në këto ditë ankthi.
14 shkurti, dita e Shën Valentinit na gjen në këtë situatë: nuk ka tufa me lule, as parfume për dhuratë, as përqafime. Ka vetëm një “gëzuar” të thatë nga prapa derës së mbyllur të dhomës, sa për të thënë. Si erdhën kohërat kështu!
Por, ja që është herët për t’u gëzuar. Disa analiza të gjakut (PCR) e bëjnë mjeken e familjes të dyshojë: ka shenja për prani Kovidi në gjak, prandaj duhet bërë një skaner i mushkërive. Rezultati i skanerit: pozitiv. Rreth 30 për qind e mushkërive të mia janë prekur nga sëmundja. Çfarë lajmi i tmerrshëm! Morali bie në fund të këmbëve. Ku shkuan ato dy teste që thoshin se jam negativ? Kush po tallet kështu me shëndetin tim dhe të qytetarëve të tjerë që paguajnë gënjeshtrat me para? Sa vetë kanë humbur jetën, duke menduar se janë mirë pas testeve të tilla, derisa mushkëritë e tyre kanë marrë fund?
Duke hyrë në shtëpi, ngre zërin në korridor të dëgjojë gruaja në dhomën e saj të gjumit: “Ta marrë dreqi, ta marrë! Na e solle vdekjen në shtëpi me ato daljet e tua!”. E kuptoj, kam humbur kontrollin. Ajo dëgjon, por nuk flet. E vuan me vete këtë situatë, ku të dy tani jemi të gozhduar nga Kovidi. Përjashta ditët janë të acarta. Ka rënë dëborë dhe temperaturat janë ulur deri në minus shtatë gradë. Edhe kjo na duhej tani. Kur vjen e keqja, hapi derën.
Le të prishet karantina, nuk i hyn më në punë askujt. Në shtëpinë tonë po bredh mikrobi i Kovidit për shtatë palë qejfe. Të paktën të gëzojmë lirinë, nëse kjo mund të quhet liri. Le të hapen dyer dhe dritare për ajrim, se oksigjeni të bën mirë. Le të shihemi sy më sy me gruan, edhe ashtu të sëmurë. E kam falur që na e solli sëmundjen në shtëpi.
Te porta e shtëpisë sonë vigjilon tani natë e ditë shtriga e vdekjes me dhëmbët e saj të zinj dhe kosën e ftohtë në dorë. Nga statistikat e di: afërsisht një në tetëdhjetë veta të sëmurë e pëson. Mbase nuk jemi ne ai personi “i tetëdhjetë”. Edhe ne jemi tani pjesë e statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, numra të ftohtë anonimë me etiketën: të infektuar. Prapë mirë, se vdekja vigjilon te porta. Dhe, atëherë, lamtumirë jetë! Mendoj se në cilin rreth të “Ferrit” të Dantes do ta kem vendin. Nuk kam bërë mëkate në jetë, por jam ateist. Rrethi i gjashtë i Ferrit: heretikët, atje e kam vendin, se nuk besoj te Zoti. Zjarri do të përvëlojë përjetësisht eshtrat në fundin e gropës ku ka rënë.
Në shtëpinë tonë tani hyn vetëm djali, edhe ai me masa të forta sigurie që na furnizon me ushqime dhe ilaçe. Ilaçet janë bërë kapicë. Goja ime është bërë farmak prej tyre. Në korridor është shfaqur një aparat që nuk e kam parë ndonjëherë më parë: është aparat i prodhimit të oksigjenit. Tubat e tij përshkojnë shtëpinë tej e tej. Oksigjeni në gjak ka rënë poshtë nëntëdhjetës, prandaj duhet ndihmuar me anë të makinës. Kushedi sa lekë e ka marrë me qira, po ç’vlerë ka paraja në këtë kohë? Mendoj: po ata të moshuar që nuk kanë fëmijë pranë, si ia bëjnë?
Më tmerron ideja që mund të përfundoj në spital. Kam respekt për mjekët. Por, dihet që atje hyn me këmbët e tua dhe mund të dalësh “me këmbët e botës”. Nga shifrat zyrtare që jepen përditë, numri i vdekjeve është rritur ndjeshëm. Spitali Kovid gjendet shumë pranë Shish-Tufinës, ndërsa unë nuk dua të përfundoj atje. Ne jemi akoma në moshë për tëj etuar. Sapo kemi dalë në pension. Pensionet i kemi të mira. Babai im jetoi nëntëdhjetë vjeç. Fëmijët janë mirë, ata po shtohen. Përse të mos jetojmë edhe ne?
I njoftoj njerëzit e mi të afërt. Më mirë të jenë në dijeni, se nuk i dihet. Ata vijnë deri te dera e shtëpisë, lënë atje qeset me ushqime e fruta dhe largohen. Nuk lejohet të hyjnë brenda, ne tani jemi shtëpi “me njollë”. Në qeset e tyre dominojnë ushqimet me mish viçi. Unë nuk kam oreks fare. Ndiej neveri, veçanërisht për mishin. Si ka mundësi që njerëzit hanë mish akoma?! Llokmat e mishit përfundojnë në tasin e Lonit, qenit tonë, që rri në ballkon. Loni ka festë. Ai nuk e kupton se përse është rritur racioni i mishit në menynë e tij pikërisht tani. Ai nuk i di ato që po ndodhin brenda shtëpisë, prandaj tund bishtin dhe lëpin buzët i lumtur.