Në Vlorë fliten të gjitha gjuhët. Edhe këtë vit, qyteti bregdetar ka pritur me mijëra pushues vendas dhe të huaj, duke u kthyer gjatë verës në kryeqytetin e turizmit shqiptar. Vlora t’i ofron të gjitha, që nga sitet historike, tek eventet e deri tek restorantet plot shije. Së fundmi, turistët po zbulojnë në Vlorë edhe turet me anije, që eksplorojnë perlat e Ishullit të Sazanit apo Gadishullit të Karaburunit.
Ture të tilla, po i bëjnë çdo ditë e më tepër disa anije, por një ndër to ka gjetur një mënyrë mjaft të veçantë për ta bërë këtë udhëtim të paharrueshëm. Behët fjalë për “Mogila Ship”, emër i frymëzuar nga një vend afër Vlorës, prej nga e ka edhe origjinën Romeo Seraj, pronari i anijes.
Nisur nga komentet e shumë vizitorëve që e kanë shpërndarë udhëtimin e tyre me këtë anije përmes fotosh dhe videosh në rrjetet sociale, vendosëm që ta provonim këtë eksperiencë.
Ishte mes gushti, ndaj, na thanë se prenotimi duhej bërë më përpara me telefon për shkak se kërkesat ishin të mëdha. Paraprakisht, takuam menaxherin e anijes, Renaldo Avduli, i cili na sqaroi disa rregulla. Bileta kushtonte 2000 lek dhe brenda këtij çmimi përfshihej shezlloni në plazhin e Shën Janit. Në orën 09.30 duhet të paraqiteshe para anijes “Mogila”, që ishte ankoruar në portin e Vlorës. Ashtu bëmë edhe ne, bashkë me 280 turistë të tjerë.
Shumë shpejt ra boria që lajmëroi nisjen dhe shkëputjen nga porti. Një nga vajzat e stafit, uroi përmes mikrofonit mirëseardhjen dhe tregoi itenerarin, duke ia lënë radhën DJ-it i cili argëtoi turistët me muzikën e përzgjedhur përgjatë gjithë udhëtimit.
Në bordin e anijes mbizotërojnë këngë tradicionale të jugut por edhe moderne e të huaja.
Turistëve, përpara u shërbehet nga një lëng portokalli.
Dallgët mbeten pas, ndëra horizonti përpara ofron një peizazh mahnitës. Qielli dhe deti bëhen thuajse një, ndërsa anija i është drejtuar fillimisht Ishullit të Sazanit.
Duhet rreth 1 orë e 45 minuta që “Mogila Ship” të arrijë në Sazan, ku vizitorët do të kenë një orë kohë në dispozicion për të shkuar deri në brendësi të ishullit apo për të bërë plazh në ujërat e tij të kristaltë. I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi i tillë në Shqipëri. Parku ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.
Ishulli i Sazanit është ishulli i vetëm i këtyre përmasave në Shqipëri. Ka nje sipërfaqe prej 5.8 kilometër katrorë dhe duket si një copëz e shkëputur nga gadishulli i Karaburunit. Relievi i ishullit dhe i gadishullit shërben si portë hyrëse në Gjirin e Vlorës. Ishulli ka një pozicion strategjik në detin Jon. Legjendat thonë së aty janë zhvilluar beteja të ashpra për ta fituar territorin, madje gjiret e fshehta të ishullit u përdorën nga piratët, për të fshehur plaçkën e grabitur. Çdo periudhë ka lënë gjurmët e veta në ishullin e pabanuar, i cili prej vitit 2017 është hapur si destinacion turistik. Shekulli i XX-të la gjurmët më të dukshme mbi ishull. Gjatë kohës së komunizmit aty u dislokua një bazë e madhe ushtarake e cila komandohej nga një korpus i lartë ushtarakësh. Jeta në ishull para viteve ’90 mori trajtat e një qyteti të vogël por të rrethuar nga uji.
Këto dhe shumë informacione të tjera, teksa i dëgjon në Ishullin e mbushur me turistë, të çojnë pas në kohë… Një eksplorim që do doje të mos i vinte fundi. Por turi sapo ka nisur!
Më pas udhëtimi vazhdoi drejt Shpellës së Haxhi Alisë, si atraksioni më i pëlqyer nga turistët, të cilët për 15 minuta kishin mundësi të shijonin pamjet magjike të kësaj shpelle.
Shpella e Haxhi Alisë është quajtur ndryshe shpella ilirike. Ka formën e një kubeje me gjatësi 30m, lartësi maksimale 18 m, gjerësi 12 m dhe arrin në 10 m thellësi. Nga fundi i shpellës burojnë ujëra të ëmbël. Thuhet se një luftëtar dhe detar i shquar Ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratët e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtarët dhe udhëtaret që kalonin nga ato anë. Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të kepit të Gjuhëzës. Shpella e Haxhi Aliut është vendi më i bukur i Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Përveçse një atraksion turistik, kjo shpellë ka një pamje të mahnitshme, si dhe vlera gjeologjike pasi në të gjenden formacione stalaktitesh që janë krijuar gjatë viteve e shekujve.
Ndalesa e radhës, plazhi i Shën Janit, me një peizazh fantastik. Vend i rregulluar nga “Mogila Ship”, ku turistët kanë mundësinë të sistemohen në çadrat e vendosura posaçërisht për turistët e saj.
Në plazhin e Shën Janit, pushuesit mund të qëndronin dhe të merrnin rreze për gati tre orë. Në orën 17.00, “MogilaShip”, u nis drejt portit të Vlorës, aty nga ku u nis.
Në anije gjithashtu shërbehet dhe dreka me një kulinari të pasur dhe çmime tejet të favorshme.
Gjatë këtij rrugëtimi patëm mundësinë të flisnim edhe me disa turistë. Përshtypjet e tyre ishin të jashtëzakonshme. Jo të paktë ishin ata që na thanë se do të riktheheshin sërish për të vizituar këto vende, si dhe do ta përcillnin eksperiencën e tyre tek të afërmit dhe miqtë.
“Shqipëria është shumë e bukur. Kam qenë në 1996 fare pranë Shqipërisë, në Mal të Zi dhe kam dashur të vij gjithnjë këtu”, thotë një turist.
“Më bëri përshtypje që këtu ka dy dete. Nesër do kthehemi dhe na vjen keq. Do t’u themi të gjithëve që të vijnë këtu. Ka shumë kafene dhe restorante që janë gjithnjë plot. (qesh) kur punoni ju?!”, thotë një tjetër.