Tashmë Zyrtare: Në Bashkimin Evropian nga sot KARIKUES UNIK për të gjitha pajisjet elektronike





Këshilli i BE-së ka dhënë miratimin përfundimtar për futjen e detyrueshme të një karikuesi të vetëm për telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike nga viti 2024.

“Nuk do të jetë më e nevojshme të blini një karikues sa herë që blini një celular të ri apo pajisje të ngjashme. Një karikues që është i pajtueshëm me pajisje të shumta do të kursejë para dhe kohë dhe do të kontribuojë në reduktimin e mbetjeve elektronike”, tha Jozef Sikela, ministri çek i Industrisë dhe Tregtisë, vendi i të cilit aktualisht kryeson Këshillin e BE-së.

Nga vjeshta 2024 KARKUESI UNIVERSAL për të gjitha pajisjet celulare në BE
Direktiva e ngarkuesit të vetëm prezanton USB-C si slot standard për karikimin e pajisjeve elektronike në Bashkimin Evropian. Nga viti 2024, të gjitha pajisjet si telefonat celularë, tabletët, lexuesit elektronikë, kamerat dixhitale, konzolat e lojërave video dhe kufjet do të duhet të kenë një slot USB-C, që do të thotë se të gjitha mund të karikohen duke përdorur të njëjtin karikues.

Në mënyrë që konsumatorët të dinë saktësisht se çfarë po blejnë, direktiva prezanton një piktogram që tregon nëse një karikues ofrohet me pajisjen e re dhe një etiketë që tregon efikasitetin e karikimit.

Këto ditë direktiva duhet të botohet në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian dhe do të hyjë në fuqi 20 ditë pas këtij publikimi. Rregullat e reja do të zbatohen 24 muaj pas hyrjes në fuqi.
Gjithashtu, 40 muaj pas hyrjes në fuqi të direktivës, këto rregulla të reja do të zbatohen për të gjithë laptopët, të cilët do të mund të karikohen edhe me një karikues unik.

Direktiva gjithashtu u jep konsumatorëve mundësinë për të blerë një pajisje të re me ose pa karikues, duke kursyer para dhe në të njëjtën kohë duke reduktuar sasinë e mbetjeve elektronike që lidhen me prodhimin, transportin dhe asgjësimin e karikuesve.
Katër vjet pas hyrjes në fuqi të direktivës, Komisioni do të vlerësojë nëse këto shitje të veçanta duhet të bëhen të detyrueshme.

Edhe pse karikimi me valë po bëhet gjithnjë e më popullor, ai ende nuk është i harmonizuar në të gjitha pajisjet. Për ta bërë këtë teknologji më të disponueshme për sa më shumë pajisje të jetë e mundur, Komisioni do të punojë në standardizimin e karikimit me valë për pajisjet elektronike dhe ndërveprueshmërinë bazuar në zhvillimin teknologjik./Spektri