A janë regjistruar vërtet 100 mijë shqiptarë në Serbi, siç po paralajmërohet!





Sot është dita e fundit e regjistrimit në Serbi.
Gjatë këtij muaji regjistrimi është zhvilluar edhe për shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës, por edhe për gjithë shqiptarët që jetojnë brenda në Serbi.

Në Komunën e Preshevës regjistrimi zyrtarisht ka përfunduar të dielën, duke nxjerr 58.845 banorë. Pritshmëria është që shumica apsolute janë shqiptarë, por jo të gjithë të regjistruarit, pasi ende nuk janë zyrtarizuar rezultatet dhe etniteti i të regjistruarëve.

Në Komunën e Bujanocit regjistrimi është duke vazhduar edhe sot. Deri në përditësimin e të hënës në mëngjes, janë regjistruar rreth 54.400 banorë. Në Komunën e Bujanocit situata është ndryshe në krahasim me Preshevën, pasi është Komunë multietnike, që mund të nxjerr rreth 35 mijë shqiptarë.

Në Medvegjë, deri të dielën janë regjistruar 8.500 banorë, ndërsa rreth 2.000-2.300 prej tyre pritet të jenë banorë shqiptarë.

Në regjistrimin e vitit 2011, atëherë kur shqiptarët bojkotuan regjistrimin, brenda qyteteve në Serbi ishin regjistruar rreth 4.000 shqiptarë. Në këtë regjistrim nuk dihet sa do të dalin, pasi askush nuk ka informacion se sa shqiptarë jetojnë momentalisht brenda në Serbi.

Nëse llogariten të gjithë, nga shifrat ku në komisionet komunale ose regjistrues ka shqiptarë (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), atëherë numri i supozuar prej 100.000 shqiptarëve të regjistruar është shumë larg, duke e llogaritur se ka mbetur vetëm edhe një ditë regjistrim. Por është i mundur nëse brenda në Serbi paraqiten edhe rreth 5 mijë shqiptarë të regjistruar, për të cilët askush nuk ka informacion./Spektri