Kosovari në Zvicër akuzohet se “bleu” vajza të mitura nga Shqipëria për djemtë e tij





Në mes të Zvicrës janë mbajtur për 16 vjet katër gra si skllave, pa u vërejtur.
Javën e ardhshme do të paraqitet në gjykatën në Moutier BE të Zvicrës, babai kosovar dhe katër djemtë, shkruan “Blick”.
Akuza thotë: Ai ka blerë për secilin djalë nga një vajzë të moshës mes 14 dhe 17 vjet si “bashkëshorte”. Ai i ka sjellë ato nga Ballkani për në Bern. E në Zvicër babai dhe djemtë keqtrajtuan gratë për një dekadë e gjysmë.

Viktima e parë u soll në Zvicër nga Shqipëria në vitin 2003. Atëbotë si 17-vjeçare ajo kishte parë bashkëshortin vetëm nëpërmjet fotografive. Prindërit kishin aranzhuar martesën. Prindërve të vajzës u ishte premtuar se vajza e tyre do të ketë një jetë më të mirë në Zvicër.
Një vajzë tjetër ishte vetëm 14-vjeçare, e po jetonte në varfëri dhe sipas hetuesve ajo ishte shitur për 300 euro nga prindërit e saj.

Gratë u izoluan dhe u kërcënuan me vdekje
Por, jeta e premtuar doli se ishte kurth. Kryefamiljari Alberim F. (65) i kishte këshilluar djemtë e tij, siç thotë akuza, saktësisht se si të sillen me “gratë”: të përdorin dhunë trupore dhe fizike.

Më pas gratë ishin rrahur vazhdimisht nga anëtarët e familjes, poshtëruar, izoluar e madje ishin kërcënuar me vdekje.
“Ai i ka rrahur mbi 20 herë me rrip”, thuhet në akuzë.

Në pikë tjetër të akuzës thuhet: “Ndonëse ajo ishte shtatzënë, vjehrri rrahu rejën derisa nisi të gjakoste”.
Njëra prej viktimave duhej t’ua lante këmbët vjehrrit dhe kunetërve. Aktakuza përbëhet nga 30 faqe.

Gratë rrallë lejoheshin të dilnin nga shtëpia dhe nuk kishin thuajse asnjë kontakt me familjet e tyre. Pas 16 vjetëve në Zvicër, njëra nga gratë nuk mund të fliste asnjë nga gjuhët kombëtare, dhe ishte ilegalisht në Zvicër.

Viktimat më në fund gjenden në një vend të sigurt
Avokati Dominic Nellen (38) përfaqëson dy prej grave në gjykatë dhe i ka shoqëruar ato për tri vjet.
“Gratë janë të mbrojtura mirë nga gjyqësori. Janë në një vend të sigurt”, thotë ai për Blick.

Avokati nuk ka folur asgjë për dhjetë fëmijët të cilat janë lindur nga këto viktima, për t’i mbrojtur ata.
Ai thotë se gratë që i përfaqëson janë të traumatizuara.
“Ato vinin si të mitura, ndonjëherë nëpërmjet kufirit të gjelbër. Ato duhej të ecnin nëpër pyll gjithë natën. Më pas u përdhunuan nga burrat e tyre menjëherë pas arritjes në Zvicër. Kjo i ktheu ato në gra”, thotë avokati.

Avokati Nellen thotë se është e qartë se prapa sjelljes çnjerëzore qëndron “Kanuni shqiptar”.
“Është një klan i madh familjar, ku sundimtar është vjehrri. Ai ishte në qendër dhe jepte urdhra”, tregon Nellen.

Në një moment, autoritetet e Bernit kuptuan rastin.
“Shërbimi social filloi të vendoste kushte. Për shembull, që gratë duhet të ndiqnin kurse gjuhësore dhe të kërkojnë punë”, thotë Nellen.

Ishte hapi i parë drejt lirisë.
“Ata e kuptuan se një abuzim i tillë nuk është normal. Para se të vendosnin autoritetet kushte, të gjithë jetonin nën një çati”.

Të pandehurit mohojnë akuzat
Në vitin 2019, gratë më në fund u arratisën – 16 vjet pasi viktima e parë u soll në Zvicër. Sipas aktakuzës, ishte përfshirë edhe një agjenci për mbrojtjen e viktimave.

Aktakuza po ashtu tregon se asnjë nga të akuzuarit nuk ka kaluar më tepër se një ditë prapa grillave.
“Burrat mohojnë të kenë kryer ndonjë gjë të paligjshme. Gratë ishin dakord me çdo gjë”, thotë avokati i viktimave.

Të akuzuarit përballen me dënime, ndër të tjera edhe për trafikim me qenie njerëzore, martesa të detyruara, lëndim fizik, përdhunim dhe akte seksuale me fëmijë.

Dënimi do të bëhet i ditur në seancë.
Një avokati i njërit prej djemve thotë për Blick se ai dëshiron të pretendojë për pafajësi. Për Blick, të pandehurit e tjerë dhe avokatët e tyre mbrojtës nuk kanë dashur të komentojnë. Është perzumim i pafajësisë.