Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se ka biseduar me telefon me ambasadorin amerikan Christopher Hill.
Me ambasadorin amerikan, ai ka folur rreth rolit të Serbisë në respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara.
Më tej ai shtoi, se Kosova është shteti që po rrezikon sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.
“Në një bisedë të gjatë telefonike me ambasadoren Hill, ritheksova se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj paqes, respektimit të së drejtës publike ndërkombëtare dhe zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, por gjithashtu theksova tmerrin e serbëve me sjelljen e Kosovës dhe a janë lëvizjet dypalëshe të Prishtinës ato që rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, shkroi Vuçiç në Facebook.
Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës.
Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.
Serbët nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës deri në momentin kur Qeveria e Kosovës tërheq vendimin për targat dhe fillon formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe.
Kryetari i Listës Serbe dhe njëherit ministri për Komunitete the Kthim, Goran Rakiç, ka dhënë dorëheqje nga pozita të cilën e ka drejtuar pak më shumë se një vjet e gjysmë.
Edhe Igor Simiç, i cili është deputet nga radhët e Listës Serbe ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Serbët kanë vendosur që të largohen edhe nga gjyqësori si dhe policia.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë Rakiç pas takimit.
Por, si rrodhën gjërat?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.
Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.
“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.
Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.
Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.
“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Çka ndodhi më pas?
Drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, u suspendua nga kjo pozitë me vendim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës me pretekstin se i njëjti kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortimin e shtetasve serb të cilët kanë refuzuar t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në ato RKS.
Në një konferencë për media menjëherë pas këtij vendimi të Inspektoratit, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, kishte caktuar për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe, për të diskutuar mundësinë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga ai personalisht.
Përveç kësaj, Rakiç, kishte bërë të ditur se Lista Serbe të dielën do të protestojë në mënyrë paqësore në shenjë indinjate ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovë.
Ai nuk kishte garantuar që protesta demokratike mund të shndërrohet edhe në një revolt popullore.
Albanian Post të premten e 4 nëntorit kishte raportuar që rreth 400 policë serb të Kosovës në Veri, do të largohen nga detyra zyrtare pasi kështu u ka bërë thirrje lideri politik i serbëve të Kosovës, Goran Rakiç.
Nëse ky grup policësh serbe të Kosovës largohen, Albanian Post ka kuptuar brenda burimeve të policisë se ka shumë rrezik që ata nuk do të dorëzojnë armët zyrtare, meqë largimi nuk po ndodhë si bindje ndaj ligjit, por revoltim ndaj tij.
AP kishte mësuar gjithashtu se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë “në gjendje gatishmërie” në Veri. /Albanianpost.com