Opozita të mos e përdor Serbinë për vota e sulm ndaj qeverisë – kështu e godasin veten dhe Kosovën





Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku përfaqësuesit serbë vendosën që të largohen nga institucionet, ndërsa disa zyrtarë policorë zhveshën uniformat.

Me këtë rast, Haradinaj-Stublla ka këshilluar partitë opozitare që të mos i përdorin këto zhvillime për vota e sulm ndaj qeverisë, sepse siç ka thënë, kështu e godasin veten dhe Kosovën. Por, ka kërkuar që opozita dhe pozita të bëhen front i përbashkët politik kundër Serbisë.

Tutje, ish-kryediplomatja ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk e do marrëveshjen finale me Kosovën, “prandaj gjen mënyra të instrumentalizimit të serbëve të Kosovës përmes terrorit politik orkestruar nga Moska”.

“Kosova për secilin veprim të qëndrojë e palëkundur në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, KFOR-in (NATO-n), dhe katër shtetet tjera aleate të Kuintit. Po ashtu, të mbetet e përkushtuar për secilin propozim për marrëveshje finale që e ka vulën e Shtëpisë së Bardhë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndryshe, Lista serbe pas një takimi të mbajtur këtë të shtunë në Zveçan, ka bërë të ditur se kanë vendosur që të largohen nga të gjitha institucionet politike në Kosovë. Ndërsa, Goran Rakiq ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim.

Postimi i plot:
Vuçiqi nuk e do marrëveshjen finale me Kosovën, prandaj gjen mënyra të instrumentalizimit të serbëve të Kosovës përmes terrorit politik orkestruar nga Moska.
Kosova për secilin veprim të qëndrojë e palëkundur në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, KFOR-in (NATOn), dhe katër shtetet tjera aleate të Kuintit. Poashtu, të mbetet e përkushtuar për secilin propozim për marrëveshje finale që e ka vulën e Shtëpisë së Bardhë.
E opozita tani të mos fillojë përdorimin e Serbisë për vota e sulm ndaj qeverisë, sepse kështu e godasin veten dhe Kosovën, por të bëhen front i përbashkët politik kundër Serbisë.