Zyrtarët në Turqi thanë se janë lëshuar 113 urdhër arreste lidhur me ndërtimin e ndërtesave që janë shembur gjatë tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.
Policia turke veçse ka arrestuar të paktën 12 persona, përfshirë edhe kontraktorë të ndërtimit.
Ndërkaq, është rritur pakënaqësia në jug të Turqisë lidhur me përpjekjet e kërkim-shpëtimit në disa vende.
Numri i viktimave të konfirmuara nga tërmetet në Turqi dhe Siri është rritur në mbi 28.000.
Pritet që të ketë më shumë arrestime, por këto veprime të autoriteteve si përpjekje për të larguar fajin nga kjo fatkeqësi.
Për vite me radhë, ekspertët kanë paralajmëruar se ndërtesat e reja në Turqi janë të pasigurta për shkak të korrupsionit endemik dhe politikave qeveritare.
Këto politika kanë lejuar të ashtuquajturën amnisti për kontraktorët që kanë shkelur rregullat, në mënyrë që të inkurajojnë ndërtimet e reja, përfshirë edhe në zonat që janë të rrezikuara nga tërmetet.
Mijëra ndërtesa janë shembur gjatë tërmeteve, duke ngritur pyetje lidhur me atë nëse kjo fatkeqësi natyrore është përkeqësuar për shkak të dështimeve të faktorit njeri.
Me zgjedhjet që po afrohen, e ardhmja politike e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, që është në pushtet që 20 vjet, është duke u rrezikuar.
Erdogan e ka pranuar se nuk ka pasur reagim të duhur të institucioneve, por gjatë vizitës në zonat e prekura nga tërmetet, ai si duket ia la fajin fatit. “Këto gjëra gjithmonë kanë ndodhur”, tha ai. “Është pjesë e planit të fatit”.