Kosova 15 vjet shtet, kjo është Agjenda Shtetërore për Ditën e Pavarësisë





Kosova feston sot ditëlindjen e 15-të. Të dielën e 17 shkurtit të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri. Deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.

Qeveria e Republikës së Kosovës dje ka bërë publike Agjendën Shtetërore për shënimin e 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë.

Agjenda Shtetërore konsiston nga një numër aktivitetesh që pritet që të fillojnë qysh në orët e hershme të mëngjesit e deri në ato të mbrëmjes.

Dita do të fillojë me një mbledhje festive të Qeverisë në orën 08:00 të mëngjesit që do të pasohet me ngritje solemne të flamurit të Kosovës, 20 minuta më vonë.

Tutje do të vazhdohet me homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, te Adem Demaçi dhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.

Në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancë solemne derisa një orë më vonë, prej orës 12:00 të mesditës, do të fillojë parakalimi i trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në sheshin e kryeqytetit.

Kremtimet e Ditës së Pavarësisë do të përfundojnë me një koncert përmbyllës.