Pas pushimit për shkak të festës kombëtare, e cila u dha nxënësve një pushim treditor, pra pesë ditë jo pune nëse përfshihet edhe fundjava, nxënësit kthehen nesër në shkollë.
Pushimet e radhës i presin tashmë në fillim të prillit, kur kalendari shkollor parashikon pushimet pranverore.
Për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Preshevë dhe Bujanoc pushimi pranveror fillon të shtunën më 8 prill dhe përfundon të martën, 18 prill. Të mërkuren dhe të enjtën do të vijojnë mësimin ndërsa të premtën i pret pushimi për ditën e Bajramit.
Pas një jave përsëri vijon pushimi katër ditorë që lidh fundjavën me 1 dhe 2 majin.
Për nxënësit e klasave të teta viti shkollor përfundon më 6 qershor, ndërsa nxënësit e tjerë të fillores do të shkojnë në shkollë deri më 20 qershor.
Maturantët e mbarojnë shkollën më 23 maj, nxënësit në klasat përfundimtare të shkollave të mesme profesionale trevjeçare dhe katërvjeçare më 30 maj dhe të gjithë gjimnazistët e tjerë më 20 qershor./Spektri