Herën e fundit kur u takuan në Bruksel, në nëntor të vitit 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bartën me vete tensione dhe pasiguri lidhur me përdorimin e targave serbe në veri të Kosovës.
Në takimin e planifikuar për datën 27 shkurt, ata do të kenë përpara një propozim të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i tyre, nuk është e qartë, por spekulimet se a do ta pranojnë ose jo planin, kanë përfshirë opinionin publik të të dyja palëve.
Kurti është shprehur shumë optimist, se nga ky takim me Vuçiqin, do të rezultojë një marrëveshje, e cila do çonte në normalizimin e plotë të raporteve mes dy vendeve që sipas tij ‘’mund të ndodhë këtë vit’’.
”Nuk mund të them për momentin se kur do të arrihet marrëveshja. Por, unë jam i përkushtuar, konstruktiv, kreativ në arritjen e kësaj marrëveshjeje, sepse koha është thelbësore”.
”Propozimi i BE-së, jep njohje ‘de-fakto’ dhe përmban shumë paragrafë, nga modeli gjermano-gjerman i vitit 1972, i cili çoi në vende në OKB nga të dy vendet”.
”Mendoj se takimi i ardhshëm do të tregojë se sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit. Unë jam optimist. Jam shumë optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”.
Por, Kurti përmendi edhe një kërkesë drejt Beogradit zyrtar.
”Ne kemi nevojë për një përfshirje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë, ne kemi nevojë që Beogradi zyrtar, që të fillojë dhe të distancohet si nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi, ashtu edhe nga e tashmja, domethënë nga presidenti despotik Putin”.
Çfarë përfshin propozimi i BE-së për Kosovën dhe Serbinë?
Ndërmjetësit ndërkombëtarë në dialogun Kosovë-Serbi u kanë prezantuar palëve planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit të kaluar.
Në atë dokument, i cili është mbështetur nga SHBA-ja, Gjermania dhe Franca, nuk përmendet njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Propozimi nuk është bërë publik, por Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një version, autenticiteti i të cilit është konfirmuar nga burimet në Bruksel.
Në të kërkohet që Serbia të mos ndërhyjë në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe që të dyja palët të respektojnë sovranitetin dhe integritetin e njëra-tjetrës.
Propozimi, gjithashtu, përfshin të drejta të barabarta për të dyja vendet, njohjen e simboleve shtetërore, trajtim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Propozimi është pranuar në parim nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Duke qenë nën trysninë e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zbatimin e Marrëveshjes për Asociacionin, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur gjashtë kushte për formimin e tij.
Disa prej tyre thonë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe t’i shërbejë ekskluzivisht bashkëpunimit ndërkomunal.
Çfarë është ndryshe këtë herë?
Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, thotë se më 27 shkurt mund të fillojnë formalisht negociatat për pranimin e planit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas tij, takimet më serioze për këtë çështje mund të pasojnë vetëm pas kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
Ai kujton se plani i BE-së u është paraqitur palëve menjëherë pas tensioneve në veri të Kosovës dhe pas barrikadave të ngritura nga disa qytetarë lokalë serbë.
Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, serbët në veri të Kosovës janë larguar nga Policia e Kosovës, institucionet gjyqësore dhe administrata lokale, në përpjekje për t’i penguar autoritetet e Kosovës që të zbatojnë procesin e riregjistrimit të automjeteve – nga targat ilegale serbe në targa të Republikës së Kosovës.
Ky veprim është pasuar me ngritjen e barrikadave në veri, të cilat janë hequr pasi Vuçiq ka thënë se ka marrë garanci nga SHBA-ja se Asociacioni do të formohet.
Janjiq thotë se për të, propozimi i BE-së është precedent, sepse hap një diskutim publik për një dokument sekret.
“Nuk ka asnjë shembull të kësaj mënyre të përgatitjes dhe zhvillimit të bisedimeve. Nëse do të ketë sukses, kjo do të jetë një çështje për studim në të gjitha universitetet”, thotë Janjiq për rel.
Çfarë i ka paraprirë takimit në Bruksel?
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka vizituar për herë të fundit Prishtinën dhe Beogradin më 6 shkurt, me qëllim që të caktojë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut.
Pas kësaj vizite, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe e konsideron atë bazë të mirë për diskutime të mëtejme.
Paraprakisht, Vuçiq ka thënë se është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.