Këshilltari i Bislimit për Stanon e BE-së: Ka minimum të njohurisë për procesin e dialogut Kosovë-Serbi

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i ka reaguar zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka deklaruar se lirimi nga detyra i Ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit është në kundërshtim me marrëveshjen për dialogun.

Sipas Kadiut, kjo nuk qëndron ndërsa ka thënë se Stano ka “minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”.-s

“Gatishmërinë e njëjtë, duhet ta ketë kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes, si për shembull vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës, për të cilën po gjendet në vështirësi kur përgjigjet. Apo edhe për shkeljet e tjera që Serbia po ia bën marrëveshjes”, ka shkruar ai në Facebook.

Kadiu tutje ka thënë se Ekipi menaxhues e ka pasur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit.

“Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, ka përfunduar ai.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, më 3 maj ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit menaxhues.

Ekipi në fjalë, i përbërë nga katër serbë nga Kosova, mori pjesë në takimin e fundit të dialogut në nivel të lartë, ku edhe paraqiti draftin e parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, propozim i cili menjëherë u hodh poshtë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti tha se koordinatorja e këtij ekipi, Danijella Vujiçiq, “është në konflikt interesi”, sepse ajo ka dhënë betimin si deputete në Kuvendin e Republikës së Serbisë. Raporton Sinjali.