Një ftesë zyrtare për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka mbërritur në kabinetin e saj.
Kështu ka bërë të ditur për Dukagjinin, Bekim Kupina, këshilltar për media në Zyrën e Presidencës.
Megjithatë, në momentin e pranimit të ftesës, siç ka njoftuar Kupina, presidentja Osmani ndodhet jashtë vendit.
Por, pritet të njoftohet menjëherë pas kthimit për të vendosur nëse do të pranojë ftesën dhe do të marrë pjesë në këtë ceremoni zyrtare.
“Ftesa për Presidenten Osmani për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit Milatoviq ka ardhur. Presidentja ndodhet jashtë vendit. Sapo të kthehet, ju njoftojmë”, ka thënë Kupina për Dukagjinin.
Në zgjedhjet e 2 prillit 2023 president i Malit të Zi u zgjodh Jakov Milatoviq, duke konkurruar me kandidatin kundërshtar Milo Gjukanoviq.
Ai fitoi mbi 60 për qind të votave./Dukagjini