I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Prishtinë, Mitrovicë dhe në veri të vendit, raporton Gazeta Sinjali.
Lajçak u takua në orët e mëngjesit në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe kryenegociatorin në procesin e dialogut me Serbinë, Besnik Bislimin.
Pjesën tjetër të ditës ai e kaloi në Mitrovicën e Veriut, ku u takua me politikanë serbë, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediumeve.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Lajçak është shprehur i shqetësuar pas bisedave me bashkëbisedues të ndryshëm në veri të Kosovës.
Ai ka thënë se duhet të shmanget çdo mundësi përshkallëzimi dhe përqëndrimi i plotë të jetë te normalizimi i raporteve mes të dyja vendeve.
“Për mua ishte e rëndësishme të vizitoja përsëri veriun e Kosovës dhe të bisedoja me bashkëbisedues të ndryshëm në mënyrë që të fitoja përshtypjen time të drejtpërdrejtë për situatën aktuale. Ajo që dëgjova më shqetësoi. Ne duhet të shmangim çdo mundësi përshkallëzimi dhe të përqendrohemi plotësisht te normalizimi”, shkroi Lajçak.
It was important for me to again visit the north of Kosovo and talk to different interlocutors in order to get my own firsthand impression of the current situation. What I heard left me worried. We need to avoid any possibility of escalation and fully focus on normalisation. pic.twitter.com/2opeOAKsgc
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) May 11, 2023
Kujtojmë se Lajçak tha para gazetarëve se me Kurtin zhvilloi “diskutim të rëndësishëm” për rrugën përpara në procesin e normalizimit pas takimit të 2 majit.
Emisari evropian tha se qëllimi i takimit ishte të krijohet një kuptim i qartë se si do të veprohet tani e tutje.
I pyetur për modelin kroat për Asociacionin, për të cilin Qeveria e Kosovës insiton, Lajçak u shpreh se ajo që është e pranueshme për Bashkimin Evropian është diçka që “bazohet në normat evropiane dhe vlerat evropiane, dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
Ai bëri të ditur se do të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin të hënën e 15 majit.