Gjatë ditës së djeshme, në Kamenicë janë raportuar dy raste të ndryshme, “vjedhje e rëndë” dhe “dëmtim i pronës”.
Rasti i parë që është raportuar në Stacionin Policor në Kamenicë ka qenë ai i dëmtimit të derës së ambulantes në fshatin Boscë nga persona të panjohur.
Në këtë rast, sipas Policisë, përveç dëmeve materiale ishin vjedhur edhe disa gjësende të imta.
Po të njëjtën ditë, drejtoresha e shkollës në fshatin Boscë ka njoftuar se të dyshuar të panjohur kishin depërtuar brenda shkollës ku dyshohet se kanë ndezur bombolën e gazit në të cilën kishin djegur disa materiale të mëndafshta (perde), por zjarri nuk ishte shpërndarë, raporton Klankosova.tv.
Për këto dy raste, policia ka njoftuar se ka arrestuar një të mitur nga komuniteti rom.
“Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Kamenicë si rezultat i një pune të shpejtë hetimore, mirë të organizuar operacionale, sot me datën 12.05.2023 ka arrestuar një të dyshuar të mitur (viti i lindjes 2009, mashkull kosovar rom) i cili është intervistuar në bazë të procedurave ligjore”, ka thënë PK-ja në një njoftim për media.
Nga prokurori i shteti rasti është cilësuar “Vjedhje e rëndë” dhe “Dëmtim i pronës”, rast i cili do të procedohet në Prokurorinë Themelore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Kujtojmë se për këtë rast ka reaguar edhe Serbia, gjegjësisht zyra për Kosovën, e cila ka tentuar që ta ndërlidhë rastin të motivuar politikisht dhe etnikisht.
“Ky lajm ka shqetësuar fshatarët dhe në vendngjarje kanë shkuar policia dhe zjarrfikësja për të hetuar. Ky sulm ndaj një institucioni arsimor serb vjen në një kohë të tensioneve të ekzagjeruara në komunitetet serbe në Kosovë dhe Metohi dhe godet më të rinjtë tanë, gjë që tregon qartë se për banditët asgjë nuk është e shenjtë dhe ata nuk zgjedhin mjete për t’i treguar popullit serb në mënyrën më të tmerrshme se siguria e tij është e kërcënuar”.
Kjo zyrë thotë se e shqetëson fakti që “politikanët shqiptarë nuk përdorin gjuhën e paqes dhe tolerancës, por përdorin deklaratat e tyre për t’i bërë serbët objektiva legjitime, gjë që u jep huliganëve një nxitje për sulme”. /Klankosova.tv